Franca tërheq mbështetjen për Infantino, tronditet gara për presidencën e FIFA-s

Federata Franceze e Futbollit (FFF) ka vendosur të tërheqë mbështetjen për Gianni Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s, raporton “Le Monde”. Lajmi vjen në një moment kur kreu i organizatës botërore po përballet me kundërshtime të forta për mënyrën e drejtimit të institucionit.

Sipas raportimeve, vendimi francez pritet të zyrtarizohet pas mbledhjes së komitetit ekzekutiv të FFF-së. Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s do të zhvillohen më 18 mars 2027, në Rabat të Marokut, ndërsa Infantino synon një tjetër mandat në krye të organizatës.

Pozicioni i Francës përbën një tjetër goditje për Infantinon, i cili kohët e fundit ka humbur mbështetjen e disa federatave. Belgjika ka njoftuar se nuk do ta mbështesë rizgjedhjen e tij, ndërsa edhe federata të tjera evropiane janë distancuar nga presidenti i FIFA-s.

Në qendër të kritikave është edhe menaxhimi i çështjes së kartonit të kuq të Folarin Balogun gjatë Botërorit, por kundërshtimet lidhen më gjerësisht me qeverisjen dhe transparencën e FIFA-s. Infantino është kritikuar gjithashtu për projektin e braktisur për hapjen e një strukture tregtare të FIFA-s ndaj investitorëve privatë.

Ndërkohë, FFF fillimisht nuk e konfirmoi zyrtarisht tërheqjen e mbështetjes, duke bërë të ditur se mbledhja e komitetit ekzekutiv për këtë çështje ende nuk kishte përfunduar.