Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, para seancës konstituive ka thënë se dëshiron të besojë se nuk ka kalkulime politike pas seancës së sotme.
“Ne si Parti Demokratike kemi konkluduar se kuvendi është dashur të konstituohet brenda afatit kushtetues. Sidoqoftë, Kosova duhet të ketë kuvend të konstituar. Unë dua të besoj, duhet të besoj që nuk ka kalkulime të mëtejshme politike që Kosova të vazhdojë të mbetet pa kuvend dhe për neve si Partia Demokratike e Kosovës është tepër e rëndësishme data 16 tetor. Ne presim vendim lirues për udhëheqësit e UÇK-së dhe çlirimtarët e Kosovës. Lufta e UÇK-së dhe e popullit të Kosovës ka qenë luftë e drejtë, luftë për liri, për pavarësi, për dinjitet dhe mbi bazën e asaj që është zhvilluar, është e papranueshme që të ketë asnjë mundësi dhe asnjë arsye tjetër që vendimi të jetë ndryshe përveç vendimit lirues dhe i presim çlirimtarët tanë që të jenë në Kosovë, te familjet e tyre, shtëpitë e tyre dhe territoret e tjera“, tha ai.