Bekim Sali në Parlamentin irlandez: Zgjerimi i BE-së duhet të bazohet në meritë dhe rezultate konkrete

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim me Komisionin e Përbashkët për Çështje Evropiane në Parlamentin irlandez, të kryesuar nga Barry Ward, ku në fokus ishte procesi i integrimit evropian të vendit.

Sali bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për reformat që po zbaton Maqedonia e Veriut dhe rëndësinë e mbështetjes së Irlandës për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Zgjerimi duhet të mbetet një proces i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita, ku përparimi i secilit vend vlerësohet sipas rezultateve konkrete”, theksoi Sali.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e integrimit gradual, duke vlerësuar se qytetarët dhe bizneset duhet t’i ndiejnë përfitimet e integrimit evropian edhe përpara anëtarësimit të plotë në BE.

Sali ritheksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut ndaj reformave dhe synimit për një të ardhme të përbashkët evropiane.