Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar nga Ambasadori i Republikës së Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Alper Aktaş, me rastin e 103-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.
Përmes një postimi, Ahmeti theksoi rëndësinë historike të kësaj date për popullin turk, duke e cilësuar atë si simbol të shtetësisë, pavarësisë dhe zhvillimit.
Ai gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, të cilat, sipas tij, karakterizohen nga miqësia e qëndrueshme, partneriteti dhe bashkëpunimi i ngushtë në fusha të ndryshme.
Ahmeti shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të vazhdojnë të thellohen në interes të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre.
Në fund të mesazhit të tij, ai përcolli urimet më të përzemërta për Republikën e Turqisë dhe popullin turk, duke u dëshiruar paqe, përparim dhe mirëqenie të vazhdueshme.


