Hetim ndaj 6 personave për përvetësim dhe pastrim parash prej 2.26 milionë euro!

Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nisi procedurë hetimore kundër gjashtë personave fizikë dhe dy personave juridikë me dyshimin për përvetësim dhe pastrim parash nga tarifat e regjistrimit të automjeteve. Prokurori kërkoi nga gjykatësi i procedurës paraprake paraburgimin e tre të dyshuarve dhe masën e kujdesit për një të dyshuar, ndërsa dy të tjerët do të hetohen në liri. Hetimi përfshin pronarin dhe menaxherin e një kompanie sigurimesh, S.S. nga fshati Kuçevishtë, i cili ishte gjithashtu anëtar jo-ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të kompanisë së ndërmjetësimit të sigurimeve, për të cilin dyshohet se ka kryer veprat penale “Përvetësim në detyrë” dhe “Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga një vepër penale”.

“Sipas provave të siguruara deri më sot, në periudhën nga 01.01.2021 deri më 20.01.2026, i dyshuari i parë, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore të paligjshme për vete, përvetësoi 138,877,419 denarë, ose afërsisht 2.26 milionë euro, në dëm të disa institucioneve dhe komunave, ndërsa të dyshuarit e tjerë qëllimisht e ndihmuan atë në kryerjen dhe fshehjen e krimit”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.