
Antikorrupsioni ka propozuar ndryshime në disa dispozita të Ligjit për Financimin e Partive Politike. Synimi, sipas Komisionit, është që sistemi të bëhet më transparent, më i drejtë dhe me mekanizma më të fuqishëm kontrolli. Në fokus të veçantë është mënyra se si ndahen paratë e buxhetit për partitë politike. Në ndërkohë, rreth 9 milionë euro nga buxheti u ndanë për partitë në vitin 2026.
Sa para nga buxheti i shtetit u takojnë partive politike, si ndahen ato dhe sa e kontrolluar është mënyra se si partitë i marrin dhe i shpenzojnë këto mjete? Pikërisht në këtë fushë, e cila prek drejtpërdrejt paratë publike dhe financimin e politikës, Antikorrupsioni ka konstatuar një sërë rreziqesh korruptive dhe boshllëqesh ligjore.
Pas një kontrolli të kryer me iniciativë të vetë Komisionit, në përputhje me Planin Antikorrupsion për kontrollin e legjislacionit për vitin 2026, Antikorrupsioni ka propozuar ndryshime në disa dispozita të Ligjit për Financimin e Partive Politike. Synimi, sipas Komisionit, është që sistemi të bëhet më transparent, më i drejtë dhe me mekanizma më të fuqishëm kontrolli. Në fokus të veçantë është mënyra se si ndahen paratë e buxhetit për partitë politike.
ANTIKORRUPSIONI KËRKON RISHIKIMIN E NDARJES SË PARAVE PUBLIKE
Antikorrupsioni propozon rishikimin e nenit 10 të ligjit, i cili përcakton mënyrën e shpërndarjes së mjeteve për financimin e partive politike nga buxheti i shtetit. Sipas dispozitës aktuale, 30 për qind e mjeteve buxhetore ndahen në mënyrë të barabartë për të gjitha partitë politike që kanë fituar të paktën një për qind të votave të zgjedhësve në zgjedhjet e fundit. Pjesa tjetër, 70 për qind, u shpërndahet partive politike, kandidatët e të cilave janë zgjedhur deputetë në Kuvend, në proporcion me numrin e deputetëve të zgjedhur, si dhe partive që kanë fituar këshilltarë në zgjedhjet lokale, në bazë të numrit të këshilltarëve.
Kryetari i Antikorruosionit , Adem Çuçul, vlerëson se është legjitime të shtrohet pyetja nëse ky model është proporcional dhe nëse u garanton të gjithë subjekteve politike mundësi të barabarta. “Mjetet për financimin e partive politike sigurohen nga shteti dhe përfaqësojnë mjete publike, vëllimi i të cilave vazhdimisht rritet. Për këtë arsye, është e nevojshme të rishikohet nëse kjo dispozitë ligjore është e përshtatshme, e drejtë dhe nëse e përmbush qëllimin për të cilin është miratuar“, thotë Çuçul.
DONACIONET DHE ANËTARËSIMET NËN LUPËN E ANTIKORRUPSIONIT
Antikorrupsioni kërkon ndryshime edhe në nenin 14, i cili rregullon anëtarësimet në partitë politike. Sipas Antikorrupsionit, dispozita aktuale nuk ka mekanizëm të mjaftueshëm parandalues, pasi nuk përcakton sanksione në rast se tejkalohet shuma e përcaktuar me ligj për anëtarësimin. Ndryshime kërkohen edhe në nenin 16, që përcakton shumën maksimale të donacioneve individuale nga personat fizikë dhe juridikë. “Është e nevojshme të rregullohen të gjitha aspektet e domosdoshme, të eliminohen boshllëqet ligjore dhe kjo dispozitë të harmonizohet me Kodin Zgjedhor“, theksoi Çuçul.
Komisioni kërkon gjithashtu rregulla më të qarta për publikimin e të dhënave mbi donacionet. Sipas Antikorrupsionit, ligji duhet të përcaktojë qartë se si partitë, përveç publikimit në faqet e tyre të internetit, duhet t’i bëjnë të qasshme këto të dhëna për publikun. Kjo, sipas Komisionit, është veçanërisht e rëndësishme për partitë që nuk kanë faqe të tyre interneti. Pa rregulla të qarta, paralajmëron Antikorrupsioni, mund të ketë interpretime të ndryshme të ligjit, zbatim jo të njëtrajtshëm dhe më pak përgjegjësi për shkeljet eventuale.
PARTITË TË DORËZOJNË LLOGARITË EDHE TE ANTIKORRUPSIONI
Në raportin që do t’u dërgohet institucioneve kompetente, Komisioni rekomandon edhe ndryshimin e nenit 26, paragrafi 7. Propozimi është që në mënyrë eksplicite të përcaktohet se partitë politike janë të detyruara t’i dorëzojnë llogaritë vjetore për punën e tyre financiare edhe te Antikorrupsioni. Sipas Komisionit, kjo do ta harmonizonte Ligjin për Financimin e Partive Politike me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave dhe do të krijonte një mekanizëm më të qartë kontrolli mbi financat partiake.
POTHUAJSE 9 MILIONË EURO PËR PARTITË NË VITIN 2026
Në sfond të kësaj nisme qëndrojnë edhe shifrat për financimin publik të partive politike. Sipas një analize të publikuar nga “Prizma“ më 12 gusht, në vitin 2026 partia në pushtet VMRO-DPMNE ka marrë rreth 2.5 milionë euro nga mjetet buxhetore të destinuara për financimin e rregullt të partive politike. LSDM ka përfituar rreth 1 milion euro, ndërsa BDI, me rreth 472 mijë euro, renditet e treta për nga shuma e mjeteve të marra nga buxheti.
Sipas analizës së BIRN-it, të bazuar në të dhëna të marra nga Ministria e Drejtësisë, vetëm tri partitë e para kanë marrë së bashku rreth 45 për qind të totalit të mjeteve të parapara për financimin e partive politike. Nëse llogariten edhe pagesat për të Majtën dhe ZNAM-in, më shumë se gjysma e buxhetit të përgjithshëm për financimin e partive politike ka përfunduar te pesë subjekte politike.
Në grupin pasues janë Lëvizja BESA, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat kanë marrë nga 220 deri në 245 mijë euro, ndërsa Partia Demokratike e Turqve ka përfituar pak më shumë se 180 mijë euro. Në total, për financimin e partive politike në vitin 2026 janë paraparë pothuajse 9 milionë euro, shumë kjo që përbën rreth 0.15 për qind të të hyrave burimore të buxhetit. Pikërisht për shkak të rritjes së vazhdueshme të mjeteve publike që u dedikohen partive, Antikorrupsioni konsideron se nevojiten rregulla më të qarta, kontroll më i fuqishëm dhe transparencë më e madhe. Në thelb, rekomandimet e antikorrupsionit hapin një debat më të gjerë: jo vetëm sa para publike marrin partitë politike, por edhe sa transparente, të kontrollueshme dhe të drejta janë rregullat sipas të cilave ato i marrin këto para.



