BotaLajme

Pas përplasjeve me Hegseth, jep dorëheqjen Sekretari i Ushtrisë amerikane

Sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, ka paraqitur dorëheqjen në Shtëpinë e Bardhë të hënën, pas disa muajsh përplasjesh me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Sipas personave të njohur me situatën, Driscoll ka zhvilluar një bisedë me presidentin Donald Trump të hënën, ku ka shprehur shqetësimet e tij për drejtimin që po merr Ushtria amerikane.

Përplasjet mes Driscoll dhe Hegseth kanë të bëjnë kryesisht me modernizimin e Ushtrisë dhe largimin nga detyra të disa prej drejtuesve të lartë ushtarakë. Mes tyre ishte edhe ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjenerali Randy George, një oficer i vlerësuar dhe me karrierë të gjatë ushtarake.

Driscoll, veteran i luftës në Irak dhe aleat i afërt i nënpresidentit JD Vance, u kishte thënë prej muajsh njerëzve të afërt se planifikonte të largohej nga Pentagoni rreth zgjedhjeve afatmesme amerikane.

Megjithatë, dorëheqja e tij vjen në një moment të vështirë për administratën amerikane. Pentagoni po përballet me një konflikt të zgjatur në Lindjen e Mesme dhe me mungesë të drejtuesve të lartë të konfirmuar nga Senati.

Nuk është ende e qartë nëse presidenti Trump e ka pranuar zyrtarisht dorëheqjen e Driscoll dhe kush do ta zëvendësojë atë si sekretar në detyrë të Ushtrisë.

Edhe Dave Fitzgerald, zëvendëssekretar i Ushtrisë, pritet të largohet nga Pentagoni gjatë kësaj jave. Fitzgerald dhe Driscoll kanë qenë ndër zërat kryesorë që kanë mbështetur përfshirjen e kompanive të vogla teknologjike në Ushtrinë amerikane, me synimin për ta bërë atë më fleksibël dhe më inovative.

Ndërkohë, Hegseth ka larguar nga detyra dhjetëra zyrtarë dhe drejtues ushtarakë që kanë mbështetur iniciativa të ngjashme.

Mes tyre ishte gjenerali James Mingus, ish-zëvendësshefi i Ushtrisë, si dhe gjenerali Christopher Donahue, i cili ka komanduar forcat amerikane në Evropë dhe Afrikë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në mbështetjen e Ukrainës dhe planifikimin ushtarak ndaj Rusisë.

Pas largimit të Mingus dhe George, të dyja pozicionet u morën nga gjenerali Christopher LaNeve, i cili u përzgjodh nga Hegseth në një lëvizje të papritur dhe u ngrit në gradën e gjeneralit me katër yje.

Tani, Ushtria amerikane do të drejtohet nga LaNeve si shef në detyrë i Shtabit dhe nga një zyrtar civil në detyrë, ndërsa përballet me sfida të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close