
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka konstatuar rreziqe korruptive dhe rregullatore në disa dispozita të Ligjit për financimin e partive politike dhe ka propozuar saktësimin e tyre. Pjesa më e madhe e vërejtjeve lidhet me shpërndarjen e mjeteve buxhetore, anëtarësimet, donacionet dhe mënyrën se si partitë publikojnë të dhënat për financimin e tyre.
Kontrolli i ligjit është bërë me iniciativë të vetë KSHPK-së, në kuadër të planit antikorrupsion për kontrollin e legjislacionit për vitin 2026. Kryetari i Komisionit, Adem Çuçul, ka theksuar se pas analizës janë identifikuar disa dispozita që kanë nevojë për rregullim shtesë, me qëllim uljen e rreziqeve nga korrupsioni.
Një nga vërejtjet kryesore ka të bëjë me nenin 10, i cili rregullon mënyrën e shpërndarjes së mjeteve që partitë politike i marrin nga buxheti shtetëror. Nga KSHPK konsiderojnë se duhet të rishikohet nëse modeli aktual është proporcional, i drejtë dhe nëse u siguron pjesëmarrësve mundësi të barabarta dhe të ndershme.
Komisioni thekson se bëhet fjalë për mjete publike, shuma e të cilave vazhdimisht rritet, ndaj duhet të vlerësohet nëse formula ekzistuese ligjore është e përshtatshme dhe në përputhje me qëllimin për të cilin është vendosur.
Vërejtje ka edhe për nenin 14, i cili lidhet me anëtarësimin që paguajnë anëtarët e partive politike. Sipas KSHPK-së, në këtë dispozitë mungon një mekanizëm parandalues, ndërsa në rast të tejkalimit të shumës së lejuar të anëtarësimit, dispozitat kundërvajtëse nuk parashikojnë sanksione përkatëse.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe donacioneve partiake. KSHPK rekomandon që neni 16, i cili rregullon shumën totale të donacioneve individuale nga personat fizikë dhe juridikë, të plotësohet me të gjitha rregullat e nevojshme dhe të eliminohet boshllëku ligjor. Komisioni kërkon që kjo dispozitë të harmonizohet edhe me Kodin Zgjedhor.
Problem është konstatuar edhe te transparenca e regjistrave të donacioneve. Në nenin 17 nuk është përcaktuar mjaftueshëm qartë mënyra se si, përveç publikimit në ueb-faqe, partitë politike duhet t’i bëjnë regjistrat të qasshëm për publikun. Sipas KSHPK-së, kjo paqartësi lë hapësirë për interpretime të ndryshme të dispozitës dhe mund të rrisë rrezikun e zbatimit jo të njëtrajtshëm në praktikë.
Kjo mund të paraqesë problem veçanërisht për subjektet politike që nuk kanë ueb-faqe të tyre, për çka Komisioni kërkon që mënyra e publikimit të të dhënave të përcaktohet më saktë.
KSHPK propozon ndryshime edhe në nenin 26, paragrafi 7 të ligjit. Sipas rekomandimit, partitë politike duhet të kenë detyrim të qartë që llogarinë vjetore për punën e tyre financiare ta dorëzojnë edhe në KSHPK. Me këtë, dispozita do të harmonizohej me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave.
Raporti me rekomandimet pritet t’u dorëzohet institucioneve kompetente për veprime të mëtejshme dhe ndryshime eventuale të legjislacionit.



