
Kaupo Rosin, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, thotë se pakënaqësia me luftën po rritet në të gjitha shtresat e shoqërisë ruse, përfshirë mes oligarkëve dhe njerëzve pranë pushtetit. Sipas tij, Putini tashmë ka vetëm “alternativa të këqija”, ndërsa nëse sistemi rus tronditet, ndryshimi mund të vijë me një shpejtësi që do ta befasojë të gjithë botën.
Rusia ndodhet në një situatë shumë më të keqe sesa mund të duket nga jashtë dhe, nëse sistemi i Vladimir Putinit fillon të shembet, ndryshimi mund të ndodhë jashtëzakonisht shpejt.
Ky është vlerësimi i Kaupo Rosin, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Estonisë (EFIS), i dhënë në një intervistë të gjerë për britaniken The Telegraph.
Rosin drejton një prej shërbimeve perëndimore që konsiderohen më të specializuara për Rusinë. Estonia ndan rreth 290 kilometra kufi me Rusinë dhe, për shkak të historisë së saj dhe pozitës gjeografike, inteligjenca mbi synimet e Kremlinit konsiderohet çështje jetike për sigurinë kombëtare të vendit.
Sipas Rosinit, lufta në Ukrainë ka filluar të krijojë çarje gjithnjë e më të dukshme brenda elitës ruse.
Putini, sipas shefit të inteligjencës estoneze, vazhdon të përcjellë bindjen se Rusia përfundimisht do të fitojë në Ukrainë dhe se duhet vetëm të vazhdojë luftën.
Por njerëzit përreth tij mund të mos jenë më po aq të bindur. “Ka sigurisht zëra që thonë se duhet të vazhdojë, por mendoj se zërat që e nxisin që ndoshta ta rishqyrtojë situatën po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm”, thotë Rosin.
Sipas tij, presidenti rus ndodhet përballë një dileme serioze. Nëse vazhdon luftën, humbjet ushtarake, problemet ekonomike dhe tensionet e brendshme mund të rriten deri në pikën kur njerëzit rreth Putinit të arrijnë në përfundimin se Rusia duhet të vazhdojë “pa të”.
Por edhe ndalimi i luftës është i rrezikshëm për presidentin rus, sepse mund ta bëjë të duket i dobët. “Objektivisht, Rusia ndodhet aktualisht në një gjendje shumë të keqe dhe shumë njerëz brenda Rusisë e kuptojnë këtë, sidomos njerëzit e ekonomisë dhe ndoshta tashmë edhe disa prej oligarkëve”, thotë Rosin.
Rosin rendit një sërë problemesh me të cilat po përballet Rusia. Humbjet në fushën e betejës, sipas tij, po tejkalojnë numrin e rekrutëve të rinj, ndërsa ekonomia ka pësuar goditje serioze.
Një problem veçanërisht i madh janë sulmet ukrainase me rreze të gjatë kundër infrastrukturës ruse të naftës, një prej burimeve kryesore të të ardhurave të buxhetit rus. Sipas vlerësimeve që përmend Rosin, deficiti buxhetor rus mund të arrijë rreth 10 trilionë rubla, ose afërsisht 86 miliardë paund, një shumë sa rreth gjysma e buxhetit rus të mbrojtjes.
Sanksionet perëndimore, ndërkohë, ia kanë vështirësuar Rusisë qasjen në tregjet e mëdha financiare. Kjo mund ta detyrojë Kremlinin të rrisë taksat dhe t’u kërkojë oligarkëve dhe kompanive ruse më shumë para për buxhetin shtetëror.
Dhe kjo, sipas Rosinit, do ta shtonte edhe më shumë pakënaqësinë. “Shohim se niveli i përgjithshëm i pakënaqësisë me këtë luftë po rritet në të gjitha shtresat e shoqërisë, duke filluar nga njerëzit e zakonshëm e deri te oligarkët. Gjithnjë e më shumë njerëz nuk e duan këtë luftë.”
Rosin nuk beson se Rusia është aktualisht pranë një revolucioni klasik popullor në rrugë. Por, sipas tij, ajo që ka më shumë rëndësi nuk është domosdoshmërisht disponimi i turmave.
“Më e rëndësishme është se çfarë mendojnë njerëzit që kanë qasje në para, armë dhe informacion.” Dhe pikërisht brenda këtyre qarqeve, sipas inteligjencës estoneze, atmosfera ka ndryshuar.
“Në këto qarqe nuk flitet më për fitore totale. Njerëzit po diskutojnë skenarë të ndryshëm dhe, kryesisht, se si kjo luftë mund të përfundojë në mënyrën e duhur.”
Rosin paralajmëron se sistemet autoritare mund të duken jashtëzakonisht të fuqishme deri në momentin kur papritur rezultojnë shumë më të brishta sesa besohej. Prandaj, nëse Rusia hyn në një krizë të vërtetë politike, zhvillimet mund të jenë dramatikisht të shpejta.
“Nëse diçka ndryshon në Rusi, atëherë do të ndodhë shumë shpejt dhe të gjithë do të befasohemi. Do të jetë diçka që ndodh brenda natës, nëse ndodh ndonjëherë.”
Një paralajmërim për brishtësinë e mundshme të sistemit të Putinit ishte rebelimi i Yevgeny Prigozhinit në qershor 2023. Forcat e grupit Wagner avancuan me shpejtësi drejt Moskës dhe arritën deri në një distancë prej rreth 90 minutash nga kryeqyteti rus, përpara se rebelimi të ndërpritej.
Për inteligjencën estoneze, ajo ngjarje tregoi diçka shumë të rëndësishme. “Për ne ishte një shenjë se sa bosh mund të jetë sistemi nga brenda”, thotë Rosin.
“Shpesh kështu ndodh me regjime të tilla. Nga jashtë duken shumë të forta, por nga brenda mund të jenë çuditërisht të dobëta.”
Një tjetër problem për Putinin është nevoja për të zëvendësuar humbjet e mëdha të ushtrisë ruse në Ukrainë. Sipas shifrave të inteligjencës britanike të cituara nga The Telegraph, numri i rusëve të vrarë në luftë mund të jetë rreth 500 mijë. Nëse lufta vazhdon me të njëjtin intensitet, Kremlini mund të detyrohet të ndërmarrë një mobilizim të ri.
Putini e ka shmangur një hap të tillë që nga mobilizimi i pjesshëm i shtatorit 2022, pjesërisht për shkak të frikës nga reagimi i shoqërisë dhe pasojat ekonomike të largimit të qindra mijëra burrave nga tregu i punës.
Por Rosin thotë se atmosfera në Rusi ka ndryshuar. “Në shoqërinë ruse, tashmë të gjithë ‘e dinë’ se mobilizimi do të vijë. Flitet shumë për këtë. Të gjithë njohin dikë që punon në ushtri dhe që ka thënë se mobilizimi do të vijë.”
Sipas tij, fakti që popullsia po mësohet me idenë e mobilizimit mund ta bëjë më të lehtë vendimin për Kremlinin.
A do të ndodhë? “Në këtë moment, shanset janë të barabarta. Të gjithë mendojnë se po vjen. Sistemi është gati. Por ne ende nuk kemi parë ndonjë vendim”, thotë Rosin.
A do ta sulmojë Rusia NATO’n? Për Estoninë, kjo është pyetja vendimtare.
Vendi me vetëm 1.3 milion banorë ndodhet në kufi me Rusinë dhe është anëtar i NATO’s. Në territorin estonez janë të dislokuar edhe rreth 1,000 ushtarë britanikë që udhëheqin një grup luftarak shumëkombësh.
Një sulm rus ndaj Estonisë do ta aktivizonte potencialisht Nenin 5 të NATO’s dhe do ta fuste Aleancën në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Megjithatë, Rosin nuk beson se një sulm i tillë është i afërt. Sipas tij, Putini vazhdon ta konsiderojë të besueshëm mekanizmin e mbrojtjes kolektive të NATO’s. “Mendoj se, në këtë moment, Putini e kupton se Neni 5 është ende realisht në fuqi. Prandaj nuk shohim një kërcënim në afat të shkurtër.”
Për të paktën “një vit e më shumë”, Rosin nuk pret një sulm konvencional rus kundër ndonjë vendi të NATO’s. Por çfarë ndodh pas dy, tri apo pesë vjetësh varet, sipas tij, kryesisht nga vetë Perëndimi.
“Nëse e marrim seriozisht kërcënimin rus, vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen tonë, ruajmë një qëndrim të besueshëm parandalues dhe kemi plane të financuara siç duhet për mbrojtjen, atëherë jemi në gjendje ta frenojmë Rusinë.”
Por Rosin paralajmëron, se “nëse ne vetë në Perëndim i prishim punët, atëherë kjo do të krijonte një situatë të re dhe Rusia ndoshta do t’i ribënte llogaritë.”
Një pjesë tjetër e rëndësishme e intervistës lidhet me operacionet ruse brenda Evropës. Rosin thotë se sabotazhet, sulmet kibernetike dhe operacionet e fshehta të lidhura me Moskën po bëhen gjithnjë e më të dhunshme.
Sipas tij, fushata drejtohet kryesisht përmes GRU’së, inteligjencës ushtarake ruse, ndërsa objektivat kryesore janë industria evropiane e mbrojtjes dhe infrastruktura logjistike që përdoret për furnizimin e Ukrainës.
“Po bëhet gjithnjë e më e dhunshme dhe më e rrezikshme”, thotë ai. Rosin madje e refuzon termin e përdorur gjerësisht “luftë hibride”, duke e konsideruar shumë të butë për atë që po ndodh.
Sipas tij, realiteti është shumë më konkret. “Sabotazh, aktivitete jokonvencionale, sulme kibernetike dhe luftë informative. Kjo është ajo që është në të vërtetë.”
Dhe për një pjesë të operacioneve ruse në Evropë, shefi i inteligjencës estoneze propozon një term edhe më të fortë. “Sidomos për fushatën e sabotazhit, mund ta përdorim termin ‘terrorizëm i sponsorizuar nga shteti’, sepse teknikisht kjo është pikërisht ajo që është.”
Mesazhi kryesor i Rosinit është se Rusia mbetet një kërcënim serioz, por njëkohësisht po përballet me presione të mëdha të brendshme.
Regjimi i Putinit mund të duket i fortë nga jashtë, por historia e rebelimit të Prigozhinit tregoi se sistemi mund të jetë shumë më i brishtë nga brenda.
Dhe nëse një ditë kjo brishtësi shndërrohet në krizë të hapur, paralajmëron shefi i spiunazhit estonez, bota mund të mos ketë shumë kohë për ta parë duke ardhur, sepse “ndryshimi në Rusi mund të ndodhë “brenda natës”.



