LajmeMaqedoni

LSDM: Të hetohet si hyjnë mediat serbe në Maqedoni

LSDM kërkon nga institucionet të hetojnë rrethanat nën të cilat grupacione mediatike serbe hyjnë në tregun maqedonas, pasi televizionet kombëtare dhe servisi publik alarmuan për shkelje të mundshme ligjore.

Zëdhënësja e LSDM‑së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se partia i mbështet plotësisht kërkesat e televizioneve dhe të Shoqatës Maqedonase të Mediave që rasti të hetohet dhe të përcaktohet përgjegjësia eventuale.

Nga LSDM pretendojnë se përmes “Euronews” dhe grupacionit “Alo” në Maqedoni po krijohet hapësirë për rritje të ndikimit mediatik serb dhe akuzojnë se një pjesë e procesit zhvillohet duke anashkaluar rregullat ligjore.

Kuzeska iu referua edhe pretendimeve të Shoqatës Maqedonase të Mediave se disponon me prova materiale për kanale televizive që prej një periudhe të gjatë transmetohen pa leje vendore.

Partia opozitare e lidh rastin edhe me ndikim më të gjerë politik dhe ekonomik nga Serbia. Kuzeska përmendi edhe ALTA Bankën, e cila hyri në tregun bankar maqedonas, duke pohuar se mjete shtetërore dhe publike po transferohen në bankë dhe se në këtë mënyrë krijohet bazë financiare për ndikim mediatik.

LSDM e akuzon drejtpërdrejt Qeverinë e Hristijan Mickoskit se lejon model të kontrollit mediatik sipas shembullit të pushtetit në Serbi dhe se pas procesit qëndron një agjendë politike më e gjerë.

“Duhet të hetohet plotësisht dhe të përcaktohet përgjegjësia”, porositi Kuzeska, duke shtuar se institucionet duhet të japin përgjigje nëse hyrja dhe veprimtaria e kompanive të huaja mediatike është në përputhje me ligjet maqedonase.

Pretendimet për ndikim politik, financim dhe anashkalim të ligjeve janë qëndrime dhe akuza të LSDM‑së dhe për momentin nuk janë të konfirmuara me vendim të ndonjë institucioni kompetent.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close