BotaLajme

Trump: Mojtaba Khamenei është gjallë, por “i plagosur rëndë” nga sulmet amerikano-izraelite

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se beson se lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është ende gjallë, pavarësisht spekulimeve të fundit për vdekjen e tij.

Në një intervistë me komentatorin konservator Glenn Beck, Trump tha se Khamenei është “shumë rëndë i plagosur”, duke iu referuar dëmtimeve në anën e majtë të trupit. “Unë nuk mendoj se ka vdekur. Ai është plagosur shumë rëndë. Ana e majtë e trupit, krahu, këmba, gjithçka”, deklaroi Trump.

Presidenti amerikan tha se vlerësimin e tij e bazon edhe në sjelljen e negociatorëve iranianë, të cilët, sipas tij, vazhdojnë të flasin për marrjen e miratimit të Khameneit për çështje të rëndësishme.

Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, u zgjodh në postin e liderit suprem të Iranit nga Asambleja e Ekspertëve më 8 mars, disa ditë pasi babai i tij, Ali Khamenei, u vra në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite të 28 shkurtit.

Që prej emërimit, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur publikisht dhe nuk ka pasur fotografi, video apo regjistrime audio të verifikuara të tij. Ai mungoi gjithashtu në ceremonitë e varrimit të babait të tij në korrik.

Mungesa e tij publike ka ushqyer spekulimet mbi gjendjen shëndetësore dhe fatin e tij. Revista The Atlantic, duke cituar burime pranë qeverisë iraniane, raportoi këtë javë se në Teheran ka pasur diskutime të shumta lidhur me fatin e liderit iranian.

Një ish-zyrtar iranian dhe i afërm i familjes Khamenei, Mohammad Hossein Khoshvaght, tha se më pak se pesë persona e kanë takuar atë që prej marsit, për shkak të masave të rrepta të sigurisë.

Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian kishte deklaruar më herët se komunikimi me Khamenein ishte bërë “jashtëzakonisht i vështirë”.

Raportime të mëparshme në mediat amerikane, duke cituar zyrtarë iranianë të paidentifikuar, pretenduan se Mojtaba Khamenei kishte marrë plagë të rënda gjatë sulmeve dhe se i ishte nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjikale në këmbë dhe krahë. Sipas këtyre raportimeve, ai kishte vështirësi në të folur për shkak të djegieve të rënda në fytyrë dhe buzë. Teherani nuk i ka konfirmuar këto informacione.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte thënë më herët se Khamenei ishte plagosur dhe me gjasë ishte “shpërfytyruar”.

Trump: Ngushtica e Hormuzit është praktikisht e hapur
Në të njëjtën intervistë, Trump foli edhe për situatën në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se kalimi detar është tashmë praktikisht i hapur.

“Ne po kalojmë shumë anije përmes ngushticës tani”, tha ai, duke shtuar se minat detare ishin pastruar.

Megjithatë, trafiku tregtar në ngushticë mbetet i kufizuar nga autoritetet iraniane, ndërsa forcat iraniane kanë vijuar të ndalojnë anijet që përpiqen të kalojnë në rrugë të paautorizuara nga Teherani.

Trump deklaroi gjithashtu se presioni ushtarak dhe ekonomik ndaj Iranit po jepte rezultate dhe se masat amerikane po çonin drejt një “fitoreje shumë të madhe”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close