LajmeMaqedoni

Shtrenjtimi i derivateve në Maqedoni, pritet goditje e re e çmimeve

Nafta nga sot shitet me 101,5 denarë për litër, ndërsa janë shtrenjtuar edhe benzinat, të cilat shiten me 95 dhe 93 denarë për litër. Kjo në mënyrë të pashmangshme do të ndikojë në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve, veçanërisht të produkteve bazë ushqimore. Nga LSDM-ja akuzojnë se kjo është një goditje e re ndaj standardit të qytetarëve dhe kërkojnë nga Qeveria që urgjentisht të miratojë masa.

“Çmimet e dizelit kanë kaluar 100 denarë për litër. Në gjashtë muajt e fundit janë rritur për 43 për qind, që do të thotë se çmimet e ushqimeve përsëri do të rriten, ndërsa Qeveria e Mickoskit nuk po ndërmerr asgjë. Vala e çmimeve tani do të jetë edhe më e rëndë, sepse gjysma e buxhetit familjar të qytetarëve të Maqedonisë shkon për ushqim dhe pije. Shporta e konsumit ka arritur në pothuajse 70 mijë denarë, ndërsa pagat nuk lëvizin”, tha Jovana Trençeva.

Kryeministri u përgjigj se Maqedonia ka inflacionin më të ulët dhe çmimet më të ulëta të karburanteve. Ai tha se kjo situatë me çmimet e benzinave në bursat botërore do të zgjasë dhe se Qeveria po shqyrton miratimin e masave, por nuk specifikoi se çfarë masash do të jenë ato.

“Po, planifikojmë. Kemi një strategji të qartë, kemi një plan të qartë. Sipas analizave tona, kjo do të zgjasë, mund të zgjasë edhe disa vite kjo situatë që po ndodh në Gjirin Persik, prandaj hapat po i ndërmarrim me kujdes, në mënyrë që të mos e cenojmë stabilitetin makroekonomik në vend, por nga ana tjetër të sigurojmë çmime bindshëm më të ulëta të karburanteve për qytetarët dhe industrinë në Maqedoni”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Pas korrigjimit të ri të çmimeve të karburanteve, i cili ka hyrë në fuqi gjatë natës, rritjen më të madhe e ka shënuar dizeli, çmimi i të cilit është rritur për 3,5 denarë për litër, duke arritur në 101,5 denarë. Ndërsa benzinat do të shiten me 93 dhe 95 denarë, përkatësisht me një rritje prej 1,5 denarësh për litër krahasuar me çmimin e deritanishëm.

Related Articles

Back to top button
Close
Close