LajmeSport

I gjithë stadiumi shpërthen kundër Alvarez, çështja merr të tjera përmasa

Diego Simeone e ka të qartë: për të luftuar për tituj, Atlético Madrid ka nevojë për një sulmues të nivelit të lartë dhe për një skuadër të bashkuar. Problemi është se pikërisht këto dy elemente duket se po mungojnë në Madrid.

“Nëse duam të fitojmë një titull, duhet të jemi bashkë, të kemi sulmues dhe sulmues të rëndësishëm”, deklaroi Simeone, duke theksuar rëndësinë e grupit dhe të një goleadori që bën diferencën.

Atlético ka ndërtuar një skuadër me shumë cilësi, me afrimet e reja si Hjulmand, Kang-in Lee, Grimaldo dhe Cuti Romero, ndërsa në ekip janë edhe emra të konsoliduar si Oblak, Pubill, Hancko, Llorente, Barrios, Koke, Giuliano, Baena dhe Lookman. Por pika më e madhe e shqetësimit mbetet sulmi dhe, mbi të gjitha, e ardhmja e Julián Álvarez.

Situata nisi të përshkallëzohej më 22 qershor, kur Álvarez, pas ndeshjes së Argjentinës ndaj Austrisë, deklaroi publikisht se “më e mira për të gjithë është një transferim”, duke shprehur dëshirën për të përmbushur ëndrrën e tij për të kaluar te Barcelona. Që prej asaj kohe, marrëdhënia mes sulmuesit dhe tifozëve të Atlético-s është tensionuar ndjeshëm.

Në ndeshjen ndaj Villarrealit, Álvarez u prit me fishkëllima dhe kore nga tifozët e skuadrës së tij, duke krijuar një atmosferë të pazakontë dhe të rënduar në Metropolitano.

Një situatë që i shton edhe më shumë tension dramës së kësaj vere. Ndërkohë, në fund të ndeshjes, teksa ekipi përshëndetej me tifozët, Alvarez u largua i vetmuar në dhomat e zhveshjes.

Me vetëm pak ditë të mbetura nga merkatoja, që mbyllet më 1 shtator, qëndrimi i Atlético Madrid është i qartë: Julián Álvarez nuk do të transferohet te Barcelona.

Klubi madrilen pretendon se Barcelona ka negociuar me lojtarin gjatë sezonit të kaluar dhe jashtë afateve të lejuara, në një periudhë kur Atlético dhe Barcelona po përballeshin edhe në Kupë dhe Champions League. Për këtë arsye, Atlético ka paraqitur edhe një ankesë lidhur me çështjen.

Sipas klubit madrilen, Barcelona ka tentuar të ushtrojë presion ndaj lojtarit për të kërkuar publikisht largimin, me synimin për të negociuar një çmim më të ulët. Oferta e raportuar prej 100 milionë eurosh, e pagueshme në disa vite, konsiderohet shumë larg vlerës së sulmuesit.

Atlético, në fakt, shkon edhe më tej: nuk ka ndërmend ta shesë Álvarez as për 150, as për 200 milionë euro. Qëndrimi i klubit është se lojtari mund të largohet vetëm nëse paguhet klauzola e tij prej 500 milionë eurosh.

Por pyetja më e madhe është tjetër: a mund të funksionojë një skuadër kur ylli i saj nuk dëshiron të qëndrojë dhe një pjesë e tifozëve janë kthyer kundër tij?

Historia e futbollit ka treguar se raste të tilla mund të zgjidhen me kalimin e kohës, sidomos nëse lojtari rikthen besimin përmes paraqitjeve dhe golave.

Por për këtë nevojiten tre gjëra: vullneti i lojtarit për të qëndruar, performanca në fushë dhe gatishmëria e tifozëve për ta falur.

Për momentin, asgjë nuk është e sigurt. Brenda skuadrës, mesazhi është për unitet. Giuliano Simeone deklaroi se Atlético duhet të qëndrojë i bashkuar dhe se skuadra do të luftojë për Álvarez.

“Jemi më të fortë kur jemi bashkë dhe do të luftojmë së bashku për Julián në fushë”, tha ai. Edhe portieri dhe zëvendëskapiteni Jan Oblak kërkoi mbështetje për sulmuesin. “Julián është këtu, me ne. Për sa kohë të jetë me ne, do ta mbështesim dhe do ta duam në mënyrën më të mirë”, u shpreh Oblak.

Atlético ka një nevojë të qartë: një sulmues që bën diferencën. Dhe Julián Álvarez është pikërisht një lojtar i tillë. Problemi është se ai duhet të dëshirojë të jetë pjesë e këtij projekti.

Simeone kërkon një skuadër të bashkuar dhe një sulmues të nivelit të lartë. Për momentin, Atlético ka në dispozicion një nga sulmuesit më të mirë të saj, por atmosfera rreth tij është bërë gjithnjë e më e rënduar.

Me pak ditë të mbetura nga merkatoja dhe disa ndeshje radhazi jashtë Metropolitano-s, Atlético duhet të gjejë një mënyrë për të qetësuar situatën.

E ardhmja e Julián Álvarez mbetet një nga dilemat më të mëdha të klubit madrilen. Nëse qëndron, Simeone duhet të rikthejë besimin dhe unitetin rreth tij. Në të kundërt, një situatë që tashmë po sjell polemika mund të kthehet në një problem serioz për objektivat e sezonit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close