
Edhe sivjet Kumanova do të jetë në qendër të jetës teatrore dhe kulturore me edicionin e tretë të Festivalit Ballkanik të Teatrit KU-FEST, i cili do të mbahet nga 31 gushti deri më 5 shtator.
Përgjatë gjashtë ditëve, publiku do të ketë mundësi të ndjekë gjashtë shfaqje teatrale nga katër shtete pjesëmarrëse: Maqedonia e Veriut, Kosova, Bullgaria dhe Serbia. Festivali synon të krijojë një hapësirë të përbashkët për artistët e skenës, shkëmbimin kulturor dhe promovimin e teatrit bashkëkohor në rajon.
Edicioni i tretë i KU-FEST sjell një program të pasur, i cili përveç shfaqjeve teatrale do të përfshijë edhe dy mbrëmje muzikore, duke e shndërruar festivalin në një festë të artit dhe kulturës.
Një nga aktivitetet e veçanta të këtij edicioni është ligjërata për fëmijë me temën “Magjia e Teatrit dhe ndikimi i tij tek fëmijët”, e cila synon t’i afrojë të vegjlit me botën e teatrit dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e artit skenik në zhvillimin dhe edukimin e tyre.
Hapja e festivalit, më 31 gusht, do të shoqërohet me performancën muzikore të Nezafete Shalës dhe Melodia e Vjetër, ndërsa nata përmbyllëse do të kurorëzohet me ndarjen e çmimeve për më të mirët e edicionit të tretë. Si dhe me performancë të këngëtarit Shpend Latifi.
Në edicionin e tretë të KU-FEST do të ndahen gjithsej shtatë çmime, përmes të cilave do të vlerësohen shfaqjet dhe artistët më të spikatur të festivalit:
- Çmimi për Shfaqjen më të Mirë
- Çmimi për Regjinë më të Mirë
- Çmimi për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor
- Çmimi për Aktorin dhe Aktoren më të Mirë në Rol Kryesor
- Çmimi për Aktorin më të Mirë të Festivali që është edhe çmimi Special “Sefedin Nuredini”
Për vlerësimin e shfaqjeve do të kujdeset një juri profesionale, e përbërë nga personalitete të njohura të medias dhe artit skenik: Leunora Kaliqi, kryeredaktore dhe redaktore përgjegjëse e MRT2; Zejadin Murtezi, aktor; dhe Robert Ristov, aktor, regjisor dhe producent.
KU-FEST synon që edhe përmes këtij edicioni të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe të ofrojë për publikun e Kumanovës një program cilësor, me teatër, muzikë dhe aktivitete edukative për të gjitha gjeneratat.
31 gusht – 5 shtator | Kumanovë | KU-FEST – Edicioni III.




