
Të dielën, Klan Kosova raportoi se si ndaj një punëtori të “TrainKos” janë ndërmarrë masa, që dyshohet se erdhën për shkak se i njëjti, përmes një komenti në Facebook, tregoi se kjo ndërmarrje riparimin e vagonëve ia dha një kompanie në Serbi.
Kjo bëri që të ketë reagime të shumta nga aktorë politikë nga ish-opozita.
Ishte Daut Haradinaj nga Aleanca, e më pas edhe deputeti i kësaj partie, Burim Ramadani, ata që publikuan edhe dokumentin përmes së cilit vërtetohej pretendimi i punëtorit të “TrainKos”, Asdren Mustafa, që vagonët janë riparuar në Serbi.
Ndonëse drejtuesit e “TrainKos” e mohojnë se komenti është arsyeja e masave, të njëjtit e pranojnë se puna iu dha kompanisë me ofertën me të volitshme, që qëlloi të jetë serbe.
Për këtë ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila nuk e mohoi, por tentoi që këtë çështje ta kthejë te qeveritë e kaluara.
“Vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin në Serbi për herë të parë më 2017, sapo janë blerë, në procedurë të nisur në kohë të Qeverisë Mustafa e të përuruar në kohë të Qeverisë Haradinaj, nga Ministri Pal Lekaj”, shkroi Rizvanolli në Facebook.
Në ndërkohë, ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka publikuar edhe një dokument, që pretendon se është emaili i dërguar nga Kryeshefi Ekzekutiv i “TrainKos”, Agron Statovci.
Në këtë email, që Haradinaj pretendon se është dërguar nga Statovci, trajtohet pikërisht komenti i Asdren Mustafës në lidhje me pretendimin e tij se vagonët janë riparuar në Serbi.
Statovci, në këtë email, ka kërkuar që të vërtetohen pretendimet e Mustafës.



