LajmeRajonTopLajm

NATO për urën e Ibrit: Çdo vendim duhet të marrë parasysh të gjitha komunitetet

NATO ka deklaruar se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtari konfirmoi se KFOR-i ka nisur tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura mbi Ibër, duke e lidhur këtë me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. Sipas tij, bëhet fjalë për optimizim të pozicionimit të misionit, proces që mund të ndryshohet në varësi të zhvillimeve të sigurisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e kishte cilësuar si lajm të mirë largimin gradual të trupave të KFOR-it nga ura, duke paralajmëruar se do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës. Sipas tij, këto hapa do të krijojnë kushte që hapja e urës të jetë në të mirë të të gjitha komuniteteve.

Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës në vitin 2024 kishte paralajmëruar hapjen e saj për automjete, vendim që shkaktoi reagime dhe tensione me bashkësinë ndërkombëtare.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar ndalimin e zvogëlimit të pranisë së KFOR-it në urë. Vuçiq pretendoi se tërheqja e KFOR-it mund të krijojë kushte për një përballje me popullsinë serbe në veri të Kosovës.

Nga NATO kanë bërë të ditur se Rutte është në kontakt të rregullt me Vuçiqin, ndërsa komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, mban kontakte me të gjitha palët dhe institucionet relevante.

NATO ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut dhe të Jugut, si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet”, tha zyrtari i NATO-s.

Ura kryesore mbi Ibër ka qenë prej vitesh një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës, ndërsa pas luftës së vitit 1999 Mitrovica mbeti e ndarë në pjesën veriore dhe jugore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close