
Paga mesatare mujore neto e paguar për një të punësuar në qershor të këtij viti ishte 48.381 denarë dhe shënon rritje prej 6,4 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS).
Sipas të dhënave të ESHS-së, rritja vjetore e pagave i atribuohet kryesisht rritjes së pagës mesatare neto në disa sektorë. Aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse shënuan rritje prej 10,6 përqind, bujqësia, pylltaria dhe peshkimi u rritën me 8,1 përqind, ndërsa në transport dhe magazinim rritja ishte 8 përqind.
Nga ana tjetër, krahasuar me muajin paraprak, është regjistruar ulje e pagës mesatare neto në disa degë. Rënia më e madhe është regjistruar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë dhe riparimit të automjeteve, me 9 përqind. Pas tij vijnë artet, argëtimi dhe rekreacioni, me rënie prej 6,2 përqind, si dhe furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me rënie prej 5,9 përqind.
Nëse krahasohen të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave për muajt e mëparshëm, mund të shihet se paga mesatare neto e paguar në qershor është 1.163 denarë më e ulët krahasuar me muajin maj të këtij viti.
Në qershor, paga mesatare neto shënoi rënie, pasi tre muajt e mëparshëm kishte qenë në rritje.
Konkretisht, në mars ajo ishte 48.433 denarë, në prill ishte 48.779 denarë, ndërsa në maj paga mesatare neto e paguar ishte 49.544 denarë. Kjo do të thotë se paga mesatare në qershor është më e ulët se ajo e prillit dhe marsit.
Në dy muajt e parë të vitit, paga mesatare ishte gjithashtu më e ulët se në qershor – në janar ishte 46.617 denarë, ndërsa në shkurt 46.159 denarë.



