BotaLajme

Shitësi i veturave bëhet princ i Belgjikës

Princi Laurent i Belgjikës e ka njohur zyrtarisht si djalë të tij dhe trashëgimtar, 26-vjeçarin, ish-shitës të veturave, Clement Vandenkerckhove.

Vandenkerckhove, rezultat i lidhjes së princit me këngëtaren belge, Wendy Van Wanten, u përfshi në familjen e Laurentit pa zhurmë në një ceremoni gjashtë muaj më parë. Detajet kanë dalë tek tash.

Edhe pse zyrtarisht ka marrë titullin princ, ai s’do të marrë përfitime financiare mbretërore.

Princi i ri është përpjekur për vite të tëra që të mësohet me idenë e të pasurit një baba mbretëror. Kohët e fundit ka thënë se ende s’është i sigurt se do ta përdorë mbiemrin e babait të tij, Saxe-Coburg.

“Ndoshta do të doja, por jam krenar me emrin Vandenkerchkove”, ka thënë ai për “Het Nieuwsblad”. “Po që se duhet të sakrifikoj emrin, do të ishte tradhti ndaj gjithçkaje që e ka bërë nëna për mua”.

Ai nuk do të jetë as pjesë e linjës mbretërore të trashëgimisë. As nuk do të marrë pjesë në aktivitete publike mbretërore.

Vandenkerckhove është i njohur në Belgjikë. Vitin e shkuar në një dokumentar e pati përshkruar se si e ka njohur të atin. Princi Laurent ishte në lidhje dashurie me Wendy Van Wanten, emri i vërtetë i së cilës është Iris Vandenkerchkove, para se të martohej me princeshën Claire më 2003. Gjatë dokumentarit në VTM, Clement ka treguar se babanë e ka takuar në një qendër tregtare më 2013, pa e ditur kush ishte. Ishte 16-vjeçar kur e ëma ia tregoi identitetin e babait.

Katër vjet më vonë e kishte thirrur dhe i kishte sugjeruar një test të ADN-së. Në test, rezultati doli për përputhje në nivel 99.5%.

S’është e para herë që familja mbretërore belge përballet me çështje të tilla. E njëjta kishte ndodhur vite më parë, kur ish-mbreti Albert II pranoi se kishte një vajzë jashtëmartesore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close