
Nga Beqir SINA – New York
Çifti do të marrë pasaportën e Republikës së Kosovës nga kryeministri Kurti, dhe do të formalizojnë pranimin e arkivit personal 50-vjeçar të ish-kongresistit, përcjell INA.
Sipas informacioneve jozyrtare nga burime të besueshme në Nju Jork, çifti Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, së bashku me një grup të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA), pritet të vizitojë Kosovën këto ditë.
Ish-kongresisti republikan i Nju Jorkut, themelues dhe kryetar i lobit të parë dhe të vetëm shqiptaro-amerikan, dhe bashkëshortja e tij, këshilltare e analiste e LQSHA-së, do të priten nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, presidentja në detyrë, Haxhiu,dhe zyrtarë të lartë, liderë të partive miqësore të lidhur me çiftin DioGuardi dhe populli i Kosovës.
Pritja ndaj tyre shpreh edhe një her respektin për kontributin e tyre prej dekadash në lobimin për Kosovën, çështjen shqiptare, rënien e komunizmit dhe zbulimin e mbrojtjes së hebrenjve.
DioGuardi ka origjinë nga Grecì e Kalabrisë, nga ai gjak i shpërndarë i arbëreshëve, që ata e quajnë “sangua sporsa”. Ky gjak i shpërndarë e ka mbajtur gjallë identitetin shqiptar për shekuj, dhe DioGuardi e ktheu atë në veprim të palodhur për Kosovën.
Ai ka udhëhequr përpjekjet në Kongresin amerikan për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe për të ndalur dhunën në Kosovë
Vizita vlerësohet historike
Pasi zyrtarisht dhe me ceremoni nga Prishtina pritet që çifti të marrë pasaportën e Republikës së Kosovës nga kryeministri Kurti. Në të njëjtën kohë, institucionet kosovare do të formalizojnë pranimin e arkivit personal 50-vjeçar të ish-kongresistit.
DioGuardi siç dihet u bë shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur në Kongresin amerikan më 1984. Që në 1986 ai sponsorizoi rezolutën e parë për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan dhe organizoi seancën e parë dëgjimore për Kosovën.
Në maj 1990, së bashku me kongresistin Tom Lantos i mbijetuar i Holokaustit ,DioGuardi udhëhoqi delegacionin e parë amerikan në Kosovë për të sfiduar pushtimin serb të Millosheviçit.
Videot e asaj vizite, të publikuara në kanalin e LQSHA-së në YouTube, tregojnë pritjen e ngrohtë në Prishtinë e Gjakovë dhe konferencat për shtyp që e bënë person non-grata në Jugosllavi.
Nga Kosova ata vazhduan në Tiranë, ku u bënë zyrtarët e parë amerikanë që hynë në Shqipëri pas 50 vitesh izolimi dhe sundimin e një regjimi nga më të egërit komunist në Europë.
Ramiz Alia, në atë kohë president duke dashur të bënte përshtypje te Lantos, u dha një dosje të trashë me fotografi, letra dhe artikuj që dëshmonin shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
DioGuardi i dërgoi menjëherë në Yad Vashem, ku u vërtetuan zyrtarisht.
Ky akt e nxori në dritë historinë e Besës shqiptare që shpëtoi çdo hebre që hyri në Shqipëri.
Arkivi që tani po përgatitet për transferim përfshin dokumente, video nga Melburni i Australisë, dhe Zelanda e re, fotografi dhe materiale nga të gjitha trevat shqiptare.
Procesi nisi në Nju Jork tre vjet më parë në Konsullatën e Pergjithshme të Kosovës në New York, me nënshkrimin e procesverbalit, të ndërmjetësuar nga Faton Bislimi, për Institutin për Krimet e Luftës dhe Muzeun Kombëtar.
Materialet thuhet se po digjitalizohen ende në SHBA.
Në tetor 2025, gjatë ceremonisë së 85-vjetorit të tij në Yonkers, DioGuardi shpalli dhurimin e bibliotekës personale 40-vjeçare duke thënë “për popullin e babait tim”, që të rinjtë shqiptarë të njohin sakrificat.
Ky arkiv nuk është vetëm koleksion, por dëshmi e gjallë e rolit të diasporës në fitoren e lirisë.
Vizita e pritur e çiftit Joseph J. DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, në Kosovë së bashku me një grup të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (LQSHA)e përforcon këtë amanet dhe e bën këtë vizitë historike.



