LajmeMaqedoniTopLajm

Sofja shton presionin ndaj Shkupit

Derisa në opinionin vendor vazhdojnë dilemat nëse mes Shkupit dhe Sofjes po zhvillohet ndonjë dialog politik, publik apo larg syve të opinionit, kumtesat zyrtare të Bullgarisë tregojnë se një çështje tashmë është ngjitur lart në agjendën dypalëshe. Bëhet fjalë për rastin e Iva Mihajllovës, vajzës së re nga Koçani me shtetësi të dyfishtë, për të cilën diplomacia bullgare ka aktivizuar kanalet e saj ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.

Rasti ka dalë përtej sallës së gjyqit në Koçan. Për të ka reaguar disa herë Ministria bullgare e Punëve të Jashtme, janë angazhuar deputetë dhe eurodeputetë bullgarë, ndërsa së fundmi është deklaruar edhe kryeministri bullgar Rumen Radev. Sofja këmbëngul se bëhet fjalë për një çështje me dimension humanitar dhe kërkon që Mihajllovës t’i mundësohet trajtim mjekësor jashtë Maqedonisë së Veriut. Madje, diplomacia bullgare e ka lidhur rastin edhe me vërejtjet e Komisionit Evropian për gjyqësorin dhe sundimin e ligjit në vend.

NGA AKSIDENTI NË KOÇAN TE DIPLOMACIA MES SHKUPIT DHE SOFJES

Iva Mihajllova akuzohet në Maqedoninë e Veriut për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, pas një aksidenti trafiku në tetor të vitit të kaluar, në të cilin humbi jetën një person dhe u lënduan disa të tjerë, përfshirë edhe vetë të akuzuarën. Mihajllova e mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe pretendon se ai ka ndodhur për shkak të rrethanave të tjera dhe jo për fajin e saj. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e saj pretendon se, si pasojë e lëndimeve të pësuara dhe gjendjes së diagnostikuar neurologjike, Mihajllova nuk mund ta marrë trajtimin e nevojshëm në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye është kërkuar heqja e masave të kujdesit, ndalimi për t’u larguar nga vendbanimi në Koçan dhe konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit, me qëllim që ajo të trajtohet jashtë vendit.

SOFJA REAGON NDAJ SHKUPIT

Më 14 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njoftoi se përfaqësues të saj ishin takuar me Hristina Mihajllovën, nënën e Ivës, pasi gjykata në Koçan kishte refuzuar kërkesën që vajzës së saj t’i lejohej largimi nga Maqedonia e Veriut për të marrë trajtimin e nevojshëm për sëmundjen neurologjike. Sipas njoftimit, nëna e Mihajllovës shpreson se angazhimi diplomatik i Sofjes do të ndikojë që gjykata më e lartë të marrë një vendim pozitiv. “Zonja Mihajllova theksoi se vazhdon të mbështetet në përkrahjen e institucioneve bullgare për një vendim pozitiv nga Gjykata e Apelit në ditët në vijim, i cili do t’i mundësonte vajzës së saj të merrte trajtimin e nevojshëm”, thuhet në njoftim.

MPJ-ja bullgare ka bërë të ditur se shteti po përdor të gjitha kanalet në dispozicion të komunikimit me Maqedoninë e Veriut, me qëllim që të merren parasysh, siç i cilëson ajo, aspektet e padiskutueshme humanitare të rastit. “Rasti është ngritur përmes kanaleve zyrtare diplomatike para autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë për zgjidhje në kohë”, ka njoftuar diplomacia bullgare.

DEPUTETË BULLGARË HYNË NË VEND PAVARËSISHT NDALESËS

Rasti prej kohësh ka marrë vëmendje të madhe edhe në mediat bullgare. Në fillim të gushtit, dy deputetë të partisë së djathtë bullgare “Prerodba”, të cilët që nga viti i kaluar kishin ndalesë për hyrje në Maqedoninë e Veriut për shkak të kalimit ilegal të kufirit, megjithatë arritën të hynin përsëri në vend për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore për rastin në Koçan. Pas kësaj, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se Kontrolli i Brendshëm do ta hetojë rastin dhe se, nëse konstatohen lëshime, do të ketë përgjegjësi për nëpunësit policorë kufitarë. Por kjo nuk ishte polemika e vetme. Pa përgjigje mbeti edhe çështja nëse ndonjë institucion gjyqësor kishte lejuar incizimin e seancës, pasi në një televizion bullgar u transmetua një material ku dëgjoheshin dialogë nga dëshmitë e dhëna gjatë procesit në Koçan.

A MUND TË TRAJTOHET NË MAQEDONI?

Më 7 gusht, Gjykata Themelore në Koçan refuzoi propozimin e Mihajllovës për heqjen e masave të kujdesit. Po atë ditë reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, duke shprehur “shqetësim serioz për pamundësinë e vazhdueshme, për më shumë se gjysmë viti, që e reja të marrë trajtim në kohë dhe adekuat për gjendjen e rëndë neurologjike të diagnostikuar”. Sofja iu referua mendimit të institucionit kompetent shëndetësor lokal, i cili, sipas MPJ-së bullgare, kishte konstatuar diagnozën e rëndë, pamundësinë për të siguruar trajtimin e përshkruar në Maqedoninë e Veriut dhe nevojën që ai të kryhet në një shtet tjetër. Por Gjykata në Koçan ka dhënë një argument tjetër.

Në arsyetimin e vendimit thuhet, mes tjerash, se nuk ekziston mendim konsiliar nga mjekët e Klinikave Universitare në Shkup dhe as nga një komision i Fondit të Sigurimit Shëndetësor që do të vërtetonte se një trajtim i tillë nuk mund të realizohet në institucionet shëndetësore publike apo private në territorin e Maqedonisë së Veriut.

SOFJA E LIDH RASTIN EDHE ME RRUGËN DREJT BE-së

Reagimi bullgar nuk është kufizuar vetëm te dimensioni shëndetësor dhe humanitar. “Përpiqemi që Iva Mihajllova të ketë qasje në kujdes mjekësor në kohë dhe adekuat, me qëllim që të shmanget rreziku real i paaftësisë së përhershme me pasoja të pakthyeshme mbi të drejtën e saj për një jetë dinjitoze”, ka deklaruar MPJ-ja bullgare. Sofja e ka vendosur rastin edhe në kontekstin e vlerësimeve të Komisionit Evropian për gjendjen e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut. “Rikujtojmë se të gjitha vendet nënshkruese të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore janë të detyruara t’i mbrojnë të drejtat e njeriut të qytetarëve të tyre”, thuhet në reagim.

Diplomacia bullgare më pas ka bërë një lidhje të drejtpërdrejtë me procesin integrues të vendit. “Në këtë drejtim, nuk janë të rastësishme konstatimet e vazhdueshme negative të Komisionit Evropian për gjendjen e sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut. Theksojmë se sundimi i ligjit është ndër kushtet kryesore për çdo përparim të një vendi kandidat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar MPJ-ja bullgare. Sofja thekson se kujdesi për jetën dhe shëndetin e shtetasve të saj jashtë vendit mbetet prioritet dhe se do të vazhdojë të përdorë mekanizmat ndërkombëtarë në dispozicion.

KOMUNITETET BULLGARE JASHTË VENDIT, PRIORITET I SOFJES

Rasti i Mihajllovës zhvillohet në një periudhë kur kujdesi për komunitetet bullgare jashtë vendit është përfshirë ndër prioritetet e programit të Qeverisë së Rumen Radevit. Programi parashikon mbështetje për organizatat e komuniteteve bullgare në Evropën Juglindore, Ukrainë dhe Moldavi, me masa që shtrihen deri në dhjetor të vitit 2029. Në prioritetet është përfshirë edhe mbështetja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe historike të emigracionit bullgar nga rajoni gjeografik i Maqedonisë në SHBA dhe Kanada.

Një tjetër masë parashikon zbatimin e një programi për mbështetjen e komuniteteve, organizatave dhe mediave bullgare jashtë vendit gjatë periudhës 2026-2028. Programi synon ngritjen e kapaciteteve për luftimin e dezinformatave, lajmeve të rreme dhe, siç thuhet, ndikimit të rremë dhe keqdashës mediatik, përmes mbështetjes së organizatave dhe mediave bullgare jashtë vendit. Deri në fund të vitit 2026 është paraparë edhe zhvillimi i një mekanizmi unik ndërinstitucional për veprim të koordinuar në situata krize që prekin shtetasit bullgarë jashtë vendit.

Për rastin e Mihajllovës është deklaruar edhe kryeministri bullgar Rumen Radev. Sipas raportimeve të mediave bullgare, Radev ka falënderuar mediat që po e informojnë opinionin për procesin gjyqësor. “Bullgaria nuk ndërhyn në proceset gjyqësore të vendeve të tjera, por ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Iva Mihajllovën, familjen dhe nënën e saj”, ka deklaruar Radev. Ai ka bërë të ditur se shteti bullgar e ka marrë përsipër mbrojtjen juridike, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme është angazhuar në mënyrë aktive në këtë rast. “Qasja e përgjithshme ndaj Iva Mihajllovës është në kundërshtim me arsyen e shëndoshë dhe me parimet elementare humane”, ka vlerësuar kryeministri bullgar. Radev ka falënderuar gjithashtu eurodeputetët bullgarë që kanë informuar institucionet dhe opinionin evropian për rastin, si dhe presidenten Ilijana Jotova për qëndrimin e saj.

Nga një proces gjyqësor pas një aksidenti tragjik në Koçan, çështja e Iva Mihajllovës tashmë ka marrë dimension diplomatik. Përderisa gjykatat në Maqedoninë e Veriut duhet të vendosin mbi bazën e ligjit dhe provave, Sofja po e ngre çështjen në nivel shtetëror, diplomatik dhe evropian. Kjo e bën rastin edhe një pikë të re të ndjeshme në marrëdhëniet tashmë të komplikuara mes Shkupit dhe Sofjes. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close