
Njëzet e pesë vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, është e papranueshme që në Maqedoninë e Veriut ende të diskutohet për të drejta që duhej të ishin të pakontestueshme.
Arsimimi në gjuhën amtare është një shtyllë e marrëveshjes dhe nuk mund të relativizohet apo të varet nga vullneti i një qeverie a shumice politike.
Ky përvjetor duhet të shërbejë për të parë sa prej obligimeve janë bërë realitet i përditshëm, e drejta e çdo fëmije shqiptar për t’u arsimuar në gjuhën e vet duhet të vlejë njësoj në çdo komunë dhe shkollë.
Çdo cënim i standardeve të arritura prek drejtpërdrejt frymën e Marrëveshjes dhe marrëdhëniet ndëretnike mbi të cilat mbështetet stabiliteti i vendit.
Pas 25 vitesh, shqiptarët nuk duhet të kërkojnë sërish realizimin e të drejtave të fituara. Institucionet kanë detyrim t’i zbatojnë plotësisht, pa vonesa dhe pa standarde të dyfishta. Marrëveshja e Ohrit duhet të jetojë në institucione dhe në jetën e përditshme, jo vetëm në fjalimet për përvjetorë.



