LajmeTeknologji

Instagram dhe Facebook mund të ndryshojnë përgjithmonë, 30 shtete amerikane padisin Meta-n. Kërkesat e tyre

Një proçes gjyqësor që pritet të nisë të martën mund të përbëjë kërcënimin më të madh për operacionet e Meta-s deri tani.

Gjykimi rrjedh nga një padi e ngritur në vitin 2023 nga 30 shtete amerikane, përfshirë Kaliforninë dhe Nju Jorkun, në të cilën ato pretendojnë shkelje të shumta të ligjeve federale dhe shtetërore për privatësinë e fëmijëve.

Jo vetëm që shtetet po kërkojnë më shumë se 1 trilion dollarë, por ato po kërkojnë gjithashtu që Meta të bëjë ndryshime në Instagram dhe Facebook, duke përfshirë heqjen e numërimit të “pëlqimeve” dhe të lëvizjes pa fund të përmbajtjes, infinite scroll.

Nëse Meta përfundimisht e humbet një çështje të kësaj përmase, kjo mund ta detyrojë kompaninë të bëjë ndryshime themelore në mënyrën se si të rinjtë i përjetojnë rrjetet sociale.

Shtetet që po padisin Metën po kërkojnë gjithashtu shumë ndryshime të tjera në mënyrën se si Instagram dhe Facebook funksionojnë për të rinjtë.

Ato duan që Meta të zbatojë një proces verifikimi prindëror për përdoruesit adoleshentë, të ndryshojë “algoritmet e rekomandimeve që manipulojnë dopaminën”, të heqë shumë filtra imazhesh që ndryshojnë pamjen e një personi në fotografi, të ndalojë luajtjen automatike të videove, të ndalojë krijimin e llogarive të shumta, të ndalojë postimet që zhduken ose janë “efemere”, si Instagram Stories.

Sipas pretendimeve të shteteve, duke targetuar përdoruesit fëmijë, Meta “zgjodhi t’i shfrytëzonte” të rinjtë për t’i bërë ata të varur nga platformat e saj, në mënyrë që të rriste bazën e përdoruesve dhe të zgjeronte biznesin e saj. Sot, vlera e Metës në tregun e aksioneve është rreth 1.5 trilion dollarë.

Ndërkaq, Meta i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime.

“Ne nuk jemi dakord aspak me këto akuza dhe jemi të bindur se provat do të tregojnë përkushtimin tonë afatgjatë për të mbështetur të rinjtë”, tha një zëdhënëse e kompanisë në një deklaratë.

Shtetet po i paraqesin pretendimet e tyre para gjyqtares Yvonne Gonzalez Rogers, kryegjyqtare federale në Kaliforni. Ajo ishte gjyqtarja në gjyqin shumë të ndjekur të Elon Musk kundër Sam Altman dhe ka ndërtuar një reputacion në gjykatë gjatë gati 20 viteve për qëndrimin e saj të mprehtë dhe të drejtpërdrejtë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close