LajmeShowbiz

“Barbie 2” në krizë, vazhdimi rrezikon të mos realizohet

Vazhdimi i filmit hit “Barbie” është në rrezik të mos realizohet për shkak të mosmarrëveshjeve për pagesat mes “Warner Bros.” dhe ekipit kryesor të filmit, ka shkruar Variety. Filmi i parë, i drejtuar nga regjisorja Greta Gerwig dhe me protagonistë Margot Robbie dhe Ryan Gosling, u kthye në një fenomen global, duke arkëtuar më shumë se 1.4 miliardë dollarë dhe duke u bërë filmi me fitimet më të larta në historinë e “Warner Bros.”

“Warner Bros.” thuhet se ka bërë më shumë se gjashtë oferta gjatë tre viteve të fundit për Gerwig, Robbie, Gosling dhe bashkë-skenaristin Noah Baumbach, por të gjitha janë refuzuar. Oferta e fundit, e bërë këtë pranverë, përshkruhet nga një burim i studios si “paratë më të mëdha që ‘Warner Bros.’ ka ofruar ndonjëherë për një ekip krijues dhe yjet e tij”.

Megjithatë, problemi kryesor duket se lidhet me pjesën e fitimeve nga suksesi i filmit, jo vetëm me pagat fillestare. Sipas raportimeve, Gosling kërkon rreth 20 milionë dollarë për t’u rikthyer si Ken, ndërsa Robbie fitoi rreth 50 milionë dollarë nga filmi i parë, duke përfshirë pagën dhe pjesën nga fitimet. Ekipi krijues nuk kërkon të marrë pagesë nga arkëtimet që në dollarin e parë, por kërkon kushte më të favorshme në ndarjen e fitimeve.

Situata është edhe më urgjente për “Warner Bros.”, pasi studios i kanë mbetur rreth katër muaj për ta futur vazhdimin në zhvillim aktiv. Në të kundërt, të drejtat autoriale të filmit mund t’i rikthehen kompanisë së lodrave “Mattel”.

Gerwig dhe Baumbach thuhet se kanë tashmë një ide për vazhdimin, por nuk duan të zbulojnë detajet apo të vazhdojnë projektin pa nënshkruar kontratat. Nëse marrëveshja dështon, “Mattel” do të duhet të nisë një version krejtësisht të ri të “Barbie”, pa përdorur elementet krijuese të Gerwig nga filmi i parë. Për “Warner Bros.”, humbja e ekipit do të ishte goditje e madhe. “Barbie” është filmi më i suksesshëm në historinë e studios dhe një vazhdim mund të sjellë përsëri qindra miliona apo edhe miliarda dollarë.

Për “Mattel”, suksesi i “Barbiet” ishte gjithashtu i rëndësishëm, pasi shitjet e kukullave u rritën ndjeshëm pas publikimit të filmit në vitin 2023. Kompania tani po përpiqet ta promovojë kukullën Barbie edhe më shumë si një ikonë mode.

Ndërkohë, disa drejtues të industrisë kanë kritikuar një nga drejtorët e “Warner Bros. Discovery”, David Zaslav, duke e akuzuar se po rrezikon një vazhdim jashtëzakonisht fitimprurës për shkak të negociatave financiare. Një person i njohur me çështjen ka thënë se vazhdimi i filmit nuk do të realizohet nëse “Warner Bros” nuk ndryshon qëndrimin e tij. Një tjetër skenar mund të shfaqet nëse David Ellison fiton kontrollin e “Warner Bros.” Sipas një burimi të industrisë, ai mund të rikthejë të drejtat e “Mattel” dhe të bindë Gerwigun, Robbien, Goslingun dhe Baumbachn të rikthehen.

Related Articles

Back to top button
Close
Close