
Save the Children vlerëson se rreth 3.7 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë prekur nga kequshqyerja akute.
Gati 4 milionë fëmijë në Afganistan po përballen me kequshqyerje akute, ndërsa kriza humanitare në vend po thellohet për shkak të rënies së ndihmave ndërkombëtare dhe mbylljes së qindra qendrave shëndetësore.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara të cituara nga Save the Children, rreth 1 në 10 fëmijë afganë nën moshën pesë vjeç është aktualisht i prekur nga kequshqyerja akute. Gjendja është përkeqësuar në dy të tretat e provincave të vendit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Save the Children vlerëson se rreth 3.7 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë prekur nga kequshqyerja akute në vitin 2026, një rritje prej rreth 14 përqind gjatë katër viteve të fundit. Kequshqyerja akute, e njohur edhe si dobësim i rëndë fizik ose “uasting”, është një gjendje potencialisht vdekjeprurëse në të cilën fëmija humbet shpejt peshë dhe masë muskulore. Ajo mund të shkaktohet nga mungesa e ushqimit, por edhe nga sëmundjet e rënda, që e dobësojnë organizmin.
Një nga faktorët kryesorë pas përkeqësimit të situatës është rënia e ndihmave humanitare. Sipas Save the Children, mungesa e financimit ka çuar në mbylljen e rreth 600 qendrave shëndetësore, nga të cilat më parë përfitonin rreth 4 milionë njerëz, gjysma e tyre fëmijë.
Ndihma humanitare për Afganistanin ka rënë me gati 70 për qind në katër vitet e fundit, nga rreth 3.27 miliardë dollarë në vitin 2022 në rreth 1 miliard dollarë në vitin 2025. Në vitin 2026, deri në mesin e vitit, janë siguruar vetëm rreth 438 milionë dollarë, duke lënë një boshllëk financimi prej 74 për qind. Situata është komplikuar edhe nga kthimi masiv i afganëve nga vendet fqinje. Më shumë se gjashtë milionë afganë janë kthyer nga Pakistani dhe Irani, ndërsa rritja e popullsisë, zhvendosjet e brendshme, thatësirat dhe fatkeqësitë natyrore kanë shtuar presionin mbi shërbimet tashmë të kufizuara.
Kriza lidhet gjithashtu me ndryshimet politike pas rikthimit të talebanëve në pushtet në gusht 2021. Pas tërheqjes së forcave amerikane dhe aleate dhe rënies së qeverisë së Ashraf Ghani-t, shumë donatorë ndërkombëtarë kufizuan ose ndryshuan mënyrën e financimit të programeve në Afganistan.
Një tjetër pengesë është kufizimi i pjesëmarrjes së grave në punën humanitare, gjë që ka vështirësuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe ndihmës për gratë dhe fëmijët. Ndërkohë, reduktimi i financimeve ka detyruar shumë organizata të pezullojnë ose mbyllin programe. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore kanë reduktuar ndjeshëm financimin e projekteve të mëdha të zhvillimit dhe rindërtimit, duke u përqendruar më shumë në programe emergjente të realizuara përmes organizatave humanitare. Save the Children paralajmëron se, pa rritje të menjëhershme të financimit, numri i fëmijëve në rrezik mund të vazhdojë të rritet. Organizata thekson se kombinimi i urisë, kthimit të refugjatëve, zhvendosjeve të brendshme, konflikteve dhe viteve të thatësirës po i çon burimet humanitare në kufijtë e tyre.
Afganistani po përballet me një krizë të rëndë ushqimore dhe shëndetësore, ku fëmijët nën pesë vjeç janë ndër grupet më të rrezikuara.



