
Statistikat e reja të ESHS tregojnë se rritja e trafikut në aeroporte nuk është përkthyer në rritje të numrit të turistëve që qëndrojnë në vend, të paktën në qershor. Në këtë muaj janë regjistruar 113.436 turistë, ose 10.3 për qind më pak se në qershor të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 126.415. Rënia është veçanërisht e dukshme te të huajt. Në qershor të vitit të kaluar vendin e vizituan 101.046 turistë të huaj, ndërsa këtë qershor numri i tyre ra në 87.618, që paraqet rënie prej 13.3 për qind.
Ndërsa nga Qeveria vazhdojnë të vijnë vlerësime optimiste për zhvillimin e turizmit dhe rritjen e numrit të udhëtarëve, të dhënat e fundit zyrtare tregojnë një pamje më të përmbajtur. Në qershor, numri i turistëve në vend është ulur për më shumë se 10 për qind, ndërsa rënia është edhe më e theksuar te turistët e huaj. Shifrat vijnë në një periudhë kur pushteti e paraqet turizmin si një nga sektorët ku rezultatet e politikave të Qeverisë tashmë po japin efekt. Kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi tha se numri i fluturimeve dhe udhëtarëve në shtatë muajt e parë të vitit është rritur për 20, 30, madje edhe 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ai e cilësoi rritjen e trafikut ajror si një nga treguesit inkurajues dhe tha se të dy aeroportet ndërkombëtare janë ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë të numrit të udhëtarëve në rajon.
“Ajo që është inkurajuese janë të dhënat që operatori i dy aeroporteve ndërkombëtare i ka përcjellë, të njëjtën gjë e ka përcjellë edhe Ministria e Transportit, dhe kjo është se të dy aeroportet janë ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon sa i përket numrit të udhëtarëve”, tha Mickoski, duke shtuar se turizmi është një nga prioritetet e Qeverisë.
Por, statistikat e reja të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) tregojnë se rritja e trafikut në aeroporte nuk është përkthyer në rritje të numrit të turistëve që qëndrojnë në vend, të paktën në qershor. Në këtë muaj janë regjistruar 113.436 turistë, ose 10.3 për qind më pak se në qershor të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 126.415. Rënia është veçanërisht e dukshme te të huajt. Në qershor të vitit të kaluar vendin e vizituan 101.046 turistë të huaj, ndërsa këtë qershor numri i tyre ra në 87.618, që paraqet rënie prej 13.3 për qind. Në të njëjtën kohë, turistët vendorë u rritën lehtë, nga 25.369 në 25.818.
Ndërkohë, më pak turistë kanë sjellë edhe më pak bujtje, ku në qershor janë regjistruar gjithsej 221.608 bujtje, kundrejt 243.157 një vit më parë, ose 8.9 për qind më pak. Te turistët e huaj, bujtjet janë ulur për 12 për qind, nga 178.155 në 156.854.
Megjithatë, gjashtëmujori nuk është tërësisht negativ për turistët e huaj. Në periudhën janar-qershor, numri i tyre është rritur me vetëm 0.3 për qind, në 396.633. Por kjo rritje e vogël është shoqëruar me rënie të netëve të qëndrimit të turistëve të huaj prej 0.7 për qind. Në total, numri i turistëve në gjashtë muaj është ulur për 0.5 për qind, ndërsa netët e qëndrimit për 1.5 për qind. Pikërisht te këto të dhëna është përplasur edhe retorika e pushtetit me atë të opozitës. Deputeti i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Jamalov, duke folur për rezultatet e turizmit, kishte deklaruar se në pesë muajt e parë numri i turistëve të huaj ishte rritur për 23.6 për qind, ndërsa netët e qëndrimit për 18.7 për qind. Ai i cilësoi këto si tregues se Maqedonia po bëhet destinacion gjithnjë e më tërheqës.
Nga ana tjetër, LSDM-ja reagoi me ironi ndaj këtyre pretendimeve, duke akuzuar pushtetin se po paraqet një realitet ekonomik që nuk përputhet me atë që përjetojnë qytetarët. Nga kjo parti thanë se “për Mickoskin kufiri është qielli”, duke ironizuar me deklaratat për sukseset e Qeverisë në ekonomi, turizëm dhe sektorë të tjerë. “Sipas Mickoskit dhe grupit të tij kriminel të VMRO-së, Maqedonia është parajsë: ekonomia e tretë në Evropë, e para për turizëm, aeroporti i parë në Evropë”, thuhet në reagimin e LSDM-së, e cila më tej akuzon pushtetin se qytetarët e dinë realitetin e tyre përmes “kuletës dhe frigoriferit bosh”.
Përtej përplasjeve politike, statistikat zyrtare japin një pamje që kërkon më shumë nuancë. Trafiku ajror mund të rritet, por kjo nuk është domosdoshmërisht e njëjtë me rritjen e turizmit. Një udhëtar në aeroport nuk është automatikisht turist që qëndron në vend, ndërsa të dhënat e ESHS-së matin pikërisht turistët dhe netët e realizuara në objektet akomoduese. Në qershor, turistët e huaj përbënin 77.2 për qind të të gjithë vizitorëve, por pikërisht ky segment shënoi rënien më të madhe. Turqia mbetet tregu kryesor, me 24.570 turistë gjatë muajit, e ndjekur nga Serbia me 8.522, Gjermania me 4.396 dhe Bullgaria me 3.207. Ndër të tjera, ndërsa Qeveria rrit pritshmëritë duke u mbështetur në rritjen e fluturimeve dhe udhëtarëve në aeroporte, statistikat e turizmit tregojnë se kjo rritje ende nuk po reflektohet në mënyrë të njëjtë në numrin e turistëve dhe netëve të qëndrimit. Gjashtëmujori përfundon me një rënie të lehtë në numrin e përgjithshëm të turistëve, ndërsa qershori sjell një rënie dukshëm më të fortë, sidomos te vizitorët e huaj.



