
Një grup i gjerë i intelektualëve, akademikëve, profesionistëve, artistëve dhe qytetarëve nga fusha të ndryshme të jetës publike në Kosovës, kanë adresuar sot një letër publike urgjente në lidhje me krizën e thellë institucionale që po e përjeton vendi.
Në këtë reagim, nënshkruesit shprehin shqetësimin e tyre të thellë mbi rrezikun që ngërçi politik po i shkakton rendit kushtetues, demokracisë dhe funksionimit të shtetit të së drejtës. Sipas tyre, Kosova nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve partiake dhe interpretimeve të njëanshme, të cilat po dëmtojnë besimin e qytetarëve, po pengojnë zhvillimin dhe po cenojnë pozitën ndërkombëtare të vendit.
Përmes këtij apeli, ata u bëjnë thirrje deputetëve, partive politike dhe të gjithë akterëve relevantë që të veprojnë konform detyrimeve kushtetuese, të heqin dorë nga logjika e ultimatumit dhe të rikthejnë interesin shtetëror në qendër të veprimit politik.
Më poshtë mund të lexoni tekstin e plotë të letrës publike dhe listën e nënshkruesve:
REPUBLIKA NUK MUND TË MBAHET PENG
Apel për formim të institucioneve dhe mbrojtje të rendit kushtetues
Ne, intelektualë, akademikë, profesionistë, artistë dhe qytetarë të poshtëshënuar të Republikës së Kosovës, shprehim shqetësimin tonë të thellë për vazhdimin e krizës institucionale dhe për rrezikun që ngërçi politik të cenojë rendin kushtetues, të demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet pa institucione funksionale për shkak të kalkulimeve partiake, interpretimeve të njëanshme të Kushtetutës apo mungesës së vullnetit për kompromis demokratik. Kjo po e dëmton besimin e qytetarëve në demokraci, po e pengon zhvillimin ekonomik dhe social dhe po e cenon pozitën ndërkombëtare të Kosovës në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.
Prandaj, kërkojmë që:
• Deputet e çertifikuar e nën betim me urgjencë të ndërmarrin veprime konform detyrimeve të tyre kushtetuese që i gjithë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera të shtetit të realizohet pa vonesë dhe sipas detyrimeve kushtetuese. Gjykata Kushtetuese i ka qartësuar detyrimet e deputetëve lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe ka thënë qartë që askush nuk ka të drejtë të pengojë ose bllokojë konstituimin e Kuvendit. Nuk duhet lejuar që vendi të mbetet në një gjendje të paralizës institucionale, e cila krijon precedentë të dëmshëm dhe pasoja afatgjata për funksionimin e institucioneve, rendin kushtetues, stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
• Partitë politike dhe institucionet përgjegjëse të heqin dorë nga ultimatumet, përjashtimi politik, logjika e imponimit dhe çdo përpjekje për ta ngritur interesin partiak, grupor apo elektoral mbi interesin shtetëror, si dhe nga veprimet që i kontribuojnë dobësimit të kohezionit shoqëror dhe rritjes së tensioneve politike.
• Qarqet akademike, shoqëria civile, mediat, profesionistët dhe të gjithë qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë përballë degradimit të kulturës demokratike e kushtetuese, dhe normalizimit të bllokadës institucionale. Kosovës i nevojitet një debat publik i mirëfilltë, kritik, racional dhe konstruktiv, i mbështetur në argumente dhe në respekt për dinjitetin e secilit. Në këtë kontekst, refuzimi i fushatave denigruese, gjuhës së urrejtjes, linçimit publik dhe diskursit përçarës është njëri ndër faktorët përcaktues për shmangien e potencialit për rritje të tensioneve politike dhe shoqërore, të cilat mund të kenë pasoja të paparashikuara për vendin.
• Institucionet dhe liderët politikë të rikthejnë në qendër të veprimit shtetëror interesat strategjike dhe afatgjata të Republikës së Kosovës. Integrimi euroatlantik, forcimi i aleancave me partnerët strategjikë, konsolidimi ndërkombëtar i shtetit, dhe trajtimi me dinjitet i të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetet jo-shumicë, duhet të trajtohen si interesa madhore kombëtare, përtej ndarjeve partiake. Kosova nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara!
Prishtinë 12 Gusht 2026
Të nënshkruarit në renditje alfabetike:
1. Agon Maliqi, politolog dhe bashkëpunëtor rezident i Këshillit Atlantik
2. Alban Hashani, dr. i shkencave ekonomike
3. Alban Muja, artist dhe ligjërues
4. Albert Prenkaj, ambasador
5. Anton Berishaj, prof. dr. i sociologjisë, anëtar i rregullt i ASHAK-ut
6. Arben Qirezi, dr. i shkencave politike, hulumtues dhe aktivist politik
7. Arian Zeka, lider i komunitetit të biznesit – AMCHAM
8. Arta Rama, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese dhe mësimdhënëse në AAB
9. Avni Spahiu, ish-ambasador dhe publicist
10. Bekim Blakaj, drejtor i HLC-së
11. Bekim Sejdiu, prof. ass. dr. i së drejtës ndërkombëtare, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës
12. Dajana Berisha, drejtoreshë e Forumit për Iniciativë Qytetare (FIQ)
13. Dashamir Berxulli, prof. asoc. i psikologjisë
14. Dritero Arifi, prof. ass. dr. i shkencave politike
15. Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi
16. Enver Hasani, prof. dr. i së drejtës ndërkombëtare, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese
17. Gresa Caka, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese
18. Ibrahim Arslan, jurist dhe ish-zëvendës i Avokatit të Popullit të Kosovës
19. Igballe Rogova, aktiviste për të drejtat e grave
20. Ilaz Ramajli, avokat
21. Ilir Deda, politolog
22. Iliriana Jaka – Gashi, Doktoreshë, Drejtore e K-W4W
23. Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së
24. Isuf Berisha, dr. i filozofisë
25. Kolë Krasniqi, prof. dr. i së drejtës penale
26. Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive e Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
27. Luan Shllaku, ekspert i shkencave të mjedisit
28. Lulzim Rafuna, lider i komunitetit të biznesit – OEK
29. Lulzim Peci, dr. i shkencave politike, ekspert i sigurisë dhe politikës së jashtme
30. Mentor Agani, dr. sc. i sociologjisë
31. Muhamedin Kullashi, prof. dr. i filozofisë dhe anëtar i rregullt i ASHAK-ut
32. Muhamet Mala, prof. dr. i historisë dhe anëtar korrespondent i ASHAK-ut
33. Muhamet Mustafa, prof. dr. i shkencave ekonomike dhe i menaxhimit të zhvillimit
34. Pal Shtufi, filozof
35. Petrit Gashi, prof. dr. i shkencave ekonomike
36. Ramadan Ilazi, dr. i shkencave politike dhe ekspert i sigurisë
37. Robert Muharremi, prof. ass. dr. i së drejtës ndërkombëtare
38. Saxhide Mustafa, dr. i shkencave ekonomike – menaxhment, aktiviste për fuqizim të grave
39. Sejdi Osmani, jurist, ekspert për zhvillim lokal
40. Shenoll Muharremi, ekonomist
41. Shkelzen Maliqi, publicist
42. Valdete Daka, ish-gjyqtare e Gjykatës Supreme të Kosovës
43. Valentin Toci, prof. dr. i shkencave ekonomike
44. Visar Ymeri, sociolog dhe aktivist i shoqërisë civile
45. Senad Šaboviċ, politikolog dhe ekspert i negociatave e marrëdhënieve ndër-etnike
46. Vjosa Dobruna, ish-ambasadore dhe veprimtare për të drejtat e njeriut



