
Sipas gazetës “Politika“, tashmë ekzistojnë kontakte dhe diskutime në qarqet politike dhe të sigurisë, rezultati përfundimtar i të cilave mund të jetë afrimi i Malit të Zi me formatin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes të krijuar nga Kroacia, Shqipëria dhe Prishtina. Nuk ka ende një vendim formal për anëtarësim, por infrastruktura e bashkëpunimit po ndërtohet gradualisht, ndërsa paralelisht, në hapësirën publike malazeze, Serbia po paraqitet gjithnjë e më shumë si burimi kryesor i ndikimit politik dhe të sigurisë, nga i cili Mali i Zi duhet të mbrohet.
Mekanizmi ushtarako-siguri nisur nga Zagrebi, Tirana dhe Prishtina me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Bashkëpunimin në Mbrojtje në mars të vitit 2025, sipas “Politika“, mund të fitojë në fazën e ardhshme edhe një pjesëmarrës tjetër nga Ballkani Perëndimor – Malin e Zi. Sipas burimeve të gazetës, kontaktet për këtë çështje ekzistojnë dhe afrimi i Podgoricës me këtë format nuk shihet si një hap që do të realizohet menjëherë, por si një proces që kërkon krijimin e kushteve politike, të sigurisë dhe, mbi të gjitha, shoqërore.
Aktualisht nuk ekziston asnjë dokument, ftesë apo vendim publik i Qeverisë së Malit të Zi që të konfirmojë aderimin e Podgoricës në deklaratën e Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës. Megjithatë, arkitektura ekzistuese rajonale e bashkëpunimit ushtarak tregon se kontaktet, stërvitjet e përbashkëta dhe bashkëpunimi institucional mes këtyre aktorëve janë tashmë të konsoliduara.
Edhe pse Mali i Zi nuk është pjesë formale e këtij mekanizmi trilateral, ai tashmë merr pjesë në disa struktura paralele ku janë të pranishëm të njëjtët aktorë. Sipas “Politika”, asnjë nga këto aktivitete nuk dëshmon se është marrë tashmë një vendim për anëtarësimin e Malit të Zi në formatin trilateral. Megjithatë, ato tregojnë se kanalet institucionale, kontaktet ushtarake, stërvitjet e përbashkëta dhe mekanizmat e ndërveprueshmërisë ekzistojnë tashmë, ndaj një zgjerim politik nuk do të kërkonte ndërtimin e një sistemi të ri nga e para. Sipas bashkëbiseduesve të “Politika”, pjesa më e ndjeshme e këtij procesi nuk është ajo ushtarako-teknike, por ajo politike.
Mali i Zi është një shtet ku një pjesë e konsiderueshme e popullsisë deklarohet serbe, ku Kisha Ortodokse Serbe gëzon besim të madh dhe ku Serbia shihet nga shumë qytetarë si vendi më i afërt në rajon. Për këtë arsye, sipas gazetës, një shpjegim i hapur se një aleancë e re ushtarake me Zagrebin, Tiranën dhe Prishtinën do të ishte përgjigje ndaj një kërcënimi nga Beogradi do të haste rezistencë të fortë.
Sipas burimeve të saj, pikërisht për këtë arsye, lëvizja politike duhet të paraprihet nga një përgatitje e opinionit publik. Gazeta pretendon se prej vitesh segmente të caktuara politike, mediatike dhe të sektorit joqeveritar në Mal të Zi kanë promovuar tezën e ndërhyrjes së dëmshme të Serbisë, të ndikimit serb dhe nevojës për mbrojtjen e institucioneve malazeze nga Beogradi. Në këtë mënyrë, sipas “Politika”, krijohet gradualisht baza politike që çdo marrëveshje e ardhshme në fushën e mbrojtjes të paraqitet jo si një orientim kundër Serbisë, por si forcim i sigurisë rajonale, rezistencës, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit euroatlantik. Gazeta vëren se kjo terminologji është tashmë pjesë e diskursit zyrtar në Podgoricë.
Ministria malazeze e Mbrojtjes flet për forcimin e kohezionit rajonal, bashkëpunimit në mbrojtje dhe rezistencës ndaj sfidave hibride, ndërsa qeveria po përgatit një Strategji të re të Sigurisë Kombëtare të përshtatur me rrethanat e reja rajonale dhe globale.
Gazeta përfundon se, nëse ky proces vazhdon, beteja për perceptimin e Serbisë në opinionin publik malazez do të jetë po aq e rëndësishme sa edhe diskutimet që zhvillohen në ministritë e mbrojtjes dhe forumet rajonale të sigurisë. Ajo argumenton se kjo shpjegon pse marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës po formësohen gjithnjë e më shumë jo vetëm përmes diplomacisë tradicionale, por edhe përmes garës për mënyrën se si Serbia paraqitet para qytetarëve të Malit të Zi.



