LajmeRajon

Kapen 30 mijë euro të padeklaruara në Vërmicë, paratë ishin fshehur në kamion

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, ku janë zbuluar 30 mijë euro të padeklaruara të fshehura në një kamion.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur më 5 gusht, në hyrje të Republikës së Kosovës. Për kontroll është paraqitur një kamion me gjysmërimorkio të zbrazët, i drejtuar nga një shtetas i Kosovës.

Gjatë intervistimit, shoferi ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare që duhej të deklaroheshin. Megjithatë, bazuar në analizën e rrezikut, Dogana dhe Policia e Kosovës kanë kryer një kontroll të përbashkët, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë kontrollit, zyrtarët kanë gjetur 30 mijë euro, të fshehura në dollapin e kamionit dhe një pjesë në jastëkun e shoferit. Paratë ishin në kartëmonedha prej 20, 50, 100 dhe 200 euro.

Mjetet monetare janë ndaluar përkohësisht, ndërsa rasti është proceduar sipas Kodit Doganor dhe legjislacionit në fuqi.

Sipas ligjit, çdo person që transporton 10 mijë euro ose më shumë ka detyrim t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore gjatë hyrjes ose daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close