
Me ardhjen e mërgimtarëve është rritur edhe sasia e mbeturinave në Tetovë! Në terren shihen koshat e stërmbushur të cilët mbajnë erë të rëndë, ndërsa mbledhja e tyre siç duket po bëhet me vonesë. Qytetarët kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe prani më të madhe të ekipeve në terren.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, e pranon gjendjen e rënduar në terren, duke u kërkuar qytetarëve më shumë kujdes gjatë bartjes së mbeturinave nga shtëpitë e tyre deri tek kontejnerët.
“Sipas statistikave që i kemi, gjatë kësaj periudhe dyfishohet sasia e mbeturinave që do duhet të transferohet në stacionin, domethënë deponinë rajonale në Rusino. Ne lusim në të njëjtën kohë që qytetarët të jenë më të kujdesshëm gjatë bartjes së mbeturinave nga shtëpitë e tyre deri tek kontejnerët. Po ashtu ne jemi në komunikim të rregullt edhe me ndërmarrjen, sipërmarrjen që bën menaxhimin e mbeturinave, që të shtoje domethënë edhe të rritin frekuentimin e grumbullimit të mbeturinave. Kemi edhe përmes aplikacionit ku qytetarët, nëse ka ndonjë lokacion ku janë grumbulluar më shumë mbeturina, e denoncojnë dhe ka edhe domethënë aksione jashtë asaj që e kanë me program ndërmarrja sipërmarrëse”, tha Kasami.
Ndryshe nga muaji qershor qytetarët paguajnë 20% më shtrenjtë për faturat e mbeturinave.
Goditjen nga shtrenjtimi nuk e pësuan vetëm amvisëritë, por edhe bizneset, të cilave faturat u janë rritur me plot 50%.



