
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka uruar qytetarët me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, duke theksuar se kjo datë historike mbart mesazhin e ndërtimit të një shteti të bazuar në barazinë e qytetarëve dhe të të gjitha bashkësive që e përbëjnë.
Në urimin e tij, Meidani rikujton fjalinë: “Çfarë Maqedonie do të ndërtojmë, të tillë do ta kemi”, duke theksuar se ky mesazh jehon nga dokumentet dhe ngjarjet që lidhen me 2 Gushtin dhe mbetet aktual edhe sot.
Sipas ambasadorit shqiptar, vizioni i një shteti të ngritur mbi barazinë e qytetarëve dhe komuniteteve, ku secili e sheh veten si bashkëthemelues dhe kontribuues, është themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet e ardhmja e vendit.
Meidani nënvizon se Ilindeni mbetet simbol i forcës së bashkimit, i guximit dhe i sakrificës së brezave që luftuan për liri dhe dinjitet, duke shtuar se vlerat e kësaj dite ndihen edhe sot përmes jetës dhe punës së përditshme mes qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
Ai shprehet se çdo ditë sheh se forca e vërtetë e vendit qëndron te njerëzit e tij, të cilët i cilëson si të mrekullueshëm, ndërsa thekson se qëllimi i përbashkët vazhdon të jetë forcimi i institucioneve, ndërtimi i besimit mes bashkësive dhe ecja e përbashkët në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Në fund të mesazhit të tij, ambasadori Denion Meidani u uron qytetarëve: “Gëzuar 2 Gushtin – Ditën e Republikës!”



