LajmeSport

Futbolli elitar i Kosovës hyn në një epokë të re, Superliga po modernizohet

Edicioni i ri i Superligës së Kosovës pritet të sjellë një risi të shumëpritur në aspektin infrastrukturor, pasi disa stadiume do të pajisen me reflektorë, duke krijuar mundësinë që ndeshjet elitare të futbollit kosovar të zhvillohen edhe në orët e mbrëmjes.

Projekti, i cili pritet të përmirësojë kushtet për klubet, futbollistët dhe tifozët, u bë i ditur fillimisht nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në emisionin SportCast, ndërsa tashmë drejtuesit komunalë kanë konfirmuar se punimet kanë nisur në terren dhe reflektorët pritet të jenë funksionalë që në javët e para të kampionatit të ri.

Ademi: Tri stadiume ndriçohen së shpejti me reflektorë

“Po është konkrete, është konkrete tashmë janë në Skenderaj veç kanë arritur domethënë dritat, kanë arritur në Klinë, në Dukagjin dhe në Gjilan. Këto janë tre stadiumet e para që do të bëhen. Më pastaj, do të bëhen besoj edhe tre të tjera. Shpresoj që diku nga mesi i sezonit, ndërsa këto të tria nëse punojnë, domethënë pjesën e tyre që e kanë komunat aty ku janë klubet, dhe klubet bashkërisht me komunat. Sa i përket aspektit të prurjes së dritave ato veç janë gati. Janë reflektorët që kanë ardhur, për këto tri i kemi këtu, për tri të tjera nisin brenda afatit dhjetë ditor”, bëri të ditur Ademi.

Ndriçimi i stadiumit me bari sintetik në Gjilan do të kushtojë 200 mijë euro dhe ai do të jetë gati që nga xhiro e dytë e edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll.

Zeqiri: 200 mijë euro është vlera e investimit për vendosjen e reflektorëve në stadiumin me bari sintetik

“Sa i përket stadiumit me bar sintetik ku ekipet e Superligës i zhvillojnë ndeshjet, në stadiumin tonë në Gjilan me bar sintetik vetëm ka filluar investimi nga Federata e Futbollit të Kosovës, ku ky investim pritet të jetë në pesë komuna të Kosovës, njëra ndër ato është edhe komuna e Gjilanit si përfituese e këtij investimi. Vlera e këtij projekti në Gjilan që do të investohet është rreth 200 mijë euro, edhe sipas dinamikës së punimeve pritet që të përfundojë në fund të muajit gusht. Pra, ky investim pritet t’i përmirësojë ndjeshëm kushtet, t’i përmirësojë kushtet për zhvillimin e ndeshjeve edhe krijon mundësinë që kampionati i ri i Superligës të zhvillohet nën ndriçim apo gjatë natës. Edhe kjo domethënë automatikisht e ngrit standardin edhe të garave, por edhe përvojën për futbollistët dhe klubet dhe tifozët. Pra, sipas dinamikës së punëve, nga java e dytë e Superligës parashihet që ndeshjet e Superligës të zhvillohen me reflektorë të instaluar, pra me një ndriçim standard të plotë:”, deklaroi Zeqiri.

Edhe drejtori për Sport në Komunën e Klinës, Lorenc Marku, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm për futbollin kosovar. Ai theksoi se zhvillimi i ndeshjeve gjatë mbrëmjes do të jetë më i favorshëm si për futbollistët ashtu edhe për tifozë

Marku: Vendosja e reflektorëve do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të tifozëve në tribuna

“Është një mundësi shumë e mirë për t’u zhvilluar lojërat në pjesën e natës për shkak të kushteve të ngrohta të verës, të cilat na i kufizojnë edhe shikuesit, por edhe për lojtarët është pak më e sikletshme për shkak të nxehtësisë. Kur mbahen lojërat në mbrëmje, normal që ndikon edhe te shikueshmëria, pavarësisht se tifozët e Klinës janë tifozë të cilët nuk e shikojnë shumë kohën për shkak se e duan klubin Dukagjini. Por mbi të gjitha është një mundësi shumë e mirë që të zhvillohen edhe lojërat e tjera ndërkombëtare për shkak të infrastrukturë që po arrihet të kompletohet edhe po mendoj që në këtë aspekt është e mirëseardhur”, theksoi Marku.

I pari i FFK-së, Agim Ademi poashtu bëri të ditur se vendosja e reflektorëve do të bëhet edhe ne disa stadiume të tjera dhe se FFK me realizimin e këtij projekti synon të përmirësojë infrastrukturën sportive dhe t’i afrojë stadiumet e Kosovës me standardet moderne, ndërsa ndeshjet e zhvilluara nën reflektorë pritet të sjellin një përvojë të re për futbollin vendor.

Related Articles

Back to top button
Close
Close