LajmeMaqedoni

Ferati shpalos vizionin e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive: Thirrje mediave për izolimin e gjuhës së urrejtjes

Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka zhvilluar një brifing me përfaqësues të mediave, ku ka prezantuar vizionin dhe orientimet strategjike të këtij dikasteri për periudhën e ardhshme. Fokusi kryesor i institucionit do të jetë forcimi i kapaciteteve të brendshme, rritja e transparencës dhe një partneritet i ngushtë me mediat për të ruajtur kohezionin shoqëror.

 

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi gjendjen aktuale institucionale. Ministri Ferati theksoi nevojën për përmirësimin e koordinimit ndërsektorial dhe rritjen e efikasitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave publike. Ai paralajmëroi ndërtimin e një qasjeje më strategjike, forcimin e kapaciteteve analitike dhe hulumtuese, si dhe krijimin e mekanizmave më transparentë dhe të balancuar për shpërndarjen e mbështetjes publike.

Sipas kreut të këtij dikasteri, institucioni duhet të reflektojë vlerat që kërkon të mbjellë në shoqëri. Ai nënvizoi se një ministri që ka për mision promovimin e barazisë, dialogut dhe bashkëjetesës, duhet të jetë vetë shembull i profesionalizmit, integritetit dhe drejtësisë institucionale, në mënyrë që të fitojë besueshmërinë e qytetarëve.

Një theks i veçantë gjatë brifingut i’u kushtua rolit të mediave në ruajtjen e stabilitetit shoqëror. Duke e cilësuar komunikimin e hapur si thelbësor, Ferati u bëri thirrje gazetarëve që, në përputhje me standardet profesionale, të japin kontributin e tyre në izolimin e narrativave përçarëse. Ai kërkoi që mediat të refuzojnë gjuhën e urrejtjes dhe provokimet me bazë etnike apo fetare, duke u angazhuar në promovimin e një kulture dialogu dhe respekti të ndërsjellë.

Në mbyllje, u rikonfirmua përkushtimi i Ministrisë për ndërtimin e politikave gjithëpërfshirëse, të cilat garantojnë mundësi të barabarta, zhvillim institucional dhe rritje të cilësisë së jetës, duke forcuar kështu marrëdhëniet e qëndrueshme ndërmjet bashkësive në vend.

Related Articles

Back to top button
Close
Close