
Ndonëse afati kushtetues për caktimin e seancës konstituive skadon më 7 gusht, Ushtruesja e Detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se seanca do të mbahet më 6 gusht.
Caktimi i kësaj date ka nxitur reagime nga partitë ish-opozitare, të cilat e kanë cilësuar vendimin si të vonuar dhe kanë kritikuar mungesën e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online tha se 6 gushti ishte data e fundit e mundshme për thirrjen e seancës, duke kritikuar zvarritjen e procesit.“Me e shiku me data dhe me kalendar, nuk ka pasur datë më të vonshme. Është data e fundit që ka pasur mundësi me u caktu seanca konstituive. Edhe nuk kam koment për gatishmërinë e partisë në pushtet për formimin e institucioneve. Kjo është me e zgjatë një pe derisa të këputet, që me e testu edhe durimin tonë”, u shpreh ajo.
Sipas saj, seanca është dashur të thirrej shumë më herët, pasi nuk ka pasur pengesa për formimin e institucioneve.
“Sa më herët që është e mundur. Bile nuk ka qenë as arsyeja as pjesa e LDK-së, se seancën kanë mund me e konstituu edhe më herët, edhe me e formu qeverinë. Sa për, si me thënë, shkëmbimin e pozitave për qeverisje, Vetëvendosja e ka bërë edhe në legjislaturën e kaluar, pra nuk ka qenë asnjëherë problem formimi i qeverisë e pastaj negocimi i pozitave të ndryshme për marrëveshje”, tha Ymeri.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Ymeri u shpreh skeptike se aktualisht ekziston vullnet politik apo një emër konkret që mund të sigurojë mbështetje.
“Me e gjyku momentumin aktual dhe qysh shihet, nuk ka ndonjë farë shprese ose potencialisht një kandidat. Për shembull, edhe tash, sot mundet me e propozu Vetëvendosja një kandidat për president. Nuk do të thotë patjetër me mbajtë konferencë për shtyp, një eksponent i Vetëvendosjes mundet me e tregu një kandidat për president, edhe e shohim sa është përkrahja për atë kandidat ose kandidate. Po qysh po shihet, nuk e kanë as interesin për këtë çështje, se me formimin e institucioneve dhe me stabilizimin e vendit, rritet edhe transparenca edhe llogaridhënia për Vetëvendosjen, e që nuk është aspak në favor të tyre”, thekson ajo.
Ajo shtoi se përgjegjësia për propozimin e kandidatit për president i takon shumicës parlamentare.
“Ata i kanë votat shumicë. Edhe në pushtetet e tjera, edhe në vendet e tjera, ai që e ka shumicën, ai e ka edhe të drejtën më të madhe të propozimit. Ne nuk jemi 100 njerëz me i propozu, tani Vetëvendosja, nuk jemi në pasarelë, nuk jemi duke garuar për miss, edhe me thënë “kjo po më pëlqen, kjo s’po më pëlqen, kësaj po ia vendosi notën tetë ose nëntë”. E kanë interesin e vendit, i njohin plotësisht mirë figurat tona kombëtare, edhe munden me e propozu një vetë e pastaj me shiku se sa është përkrahja në përgjithësi”, theksoi Ymeri.
Edhe deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri për Ekonomia Online kritikoi caktimin e datës së seancës, duke thënë se gjatë kësaj periudhe nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të arritur një marrëveshje politike.
“Caktimi i 6 gushtit kishte me pasë kuptim të kishte ndodhë, në qoftë se përgjatë gjithë kohës kishte pasë dinamikë të Vetëvendosjes si shumicë parlamentare për me mujt me ardhë deri te një marrëveshje, deri te një ide. Krejt çka ka ndodhë: kanë ndodhë dy takime, kanë ndodhë katër konferenca për shtyp dhe asgjë tjetër. Kuvendi dhe Kosova duhet t’i ketë institucionet e veta”, tha Tahiri.
Tahiri theksoi se funksionimi i shtetit kërkon respektimin e rregullave demokratike dhe gjetjen e një figure unifikuese për kryetar të Kuvendit.
“Mirëpo, të pasë shtet funksional, duhet me iu nështru rregullit demokratik. Rregulli demokratik edhe verdikti i popullit është shumë i thjeshtë: Për Qeverinë, për qeverisje i ki votat urdhëro qeverisë e ki edhe kryetarin e Kuvendit. Për kuvend nuk i ki votat, duhesh me u ulë me gjetë një figurë unifikuese, një figurë përfaqësuese dhe jo një figurë të partisë në pushtet, e cila do të funksiononte si një degë politike e Vetëvendosjes dhe jo si një institucion që do të kishte synim thelbësor ushtrimin e funksionit kushtetuese dhe unitetin e vendit”, shtoi Tahiri.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 06.08.2026 për mbajtjen e seancës konstituive.
“Për shkak të lidhjes së datës për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit, jam kujdesur në lidhje me datat për shkak të hapësirës për takime. Sot ju njoftoj që seanca do të mbahet më 6 gusht në ora 10:00”, tha Haxhiu në konferencë për media më 24 korrik.
Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së 11-të kanë kohë deri më 07.08.2026 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, megjithatë jo me patjetër duhet të pritet fundi i këtij afati.
Para caktimit të datës, në një rast tjetër, Haxhiu kishte thënë se u ka dhënë kohë partive politike për takime para se të thërrasë seancën konstituive.
“E kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të, që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, pati thënë Haxhiu



