
Tre persona janë arrestuar gjatë kontrolleve të realizuara nga policia në Tetovë dhe rrethinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar lloje të ndryshme të lëndëve narkotike.
Sipas MPB-së, më 31 korrik 2026, në ora 16:30, me urdhër gjykate, zyrtarët policorë të SPB Tetovë kanë kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të L.M. (36) në Tetovë, ku është gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të bardhë pluhur.
Po të njëjtën ditë, në ora 18:00, gjatë një kontrolli në shtëpinë e R.T. (37) në fshatin Trebosh, policia ka gjetur dhe sekuestruar marihuanë.
Ndërkohë, në ora 19:00, gjatë kontrollit në shtëpinë e N.A. (41) në fshatin Dobrosht, janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe hashash.
Të tre personat janë privuar nga liria, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rasteve ndaj tyre do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.



