KurioziteteLajme

Njerëzit kanë ADN nga paraardhës misteriozë

Shkencëtarët kanë zbuluar gjurmë të ashtuquajturve “paraardhës fantazmë” në ADN-në e njeriut, duke hedhur më shumë dritë mbi mënyrën se si është formuar përbërja jonë gjenetike.

Studiuesit identifikuan ADN nga dy grupe të panjohura homininësh, grupi i primatëve ku bëjnë pjesë homosapiensët dhe neandertalët. Njëra prej këtyre linjave e ka origjinën në Afrikë rreth 50.000 vjet më parë, ndërsa tjetra, e cilësuar si një linjë “super-arkaike”, është shumë më e vjetër, rreth 1,8 milionë vjeçare.

Mendohet se këta homininë u kryqëzuan me denisovanët, një tjetër grup homininësh tashmë të zhdukur, ashtu si neandertalët. Ky shkëmbim gjenesh ndodhi në Euroazi dhe denisovanët ua transmetuan më vonë këtë ADN “super-arkaike” njerëzve homosapiensë, mijëra vjet më pas.

Shkencëtarët besojnë se njerëzit e sotëm mbartin afërsisht të njëjtën sasi të kësaj “ADN-je fantazmë” sa edhe të ADN-së së trashëguar nga neandertalët, rreth 1 për qind të gjenomit.

“Ne zbuluam se rreth 2% e gjenomit të njeriut modern vjen nga homininë arkaikë,” tha Yulin Zhang, një nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë në Berkeley që mori pjesë në këtë zbulim.

“Në rastin e kësaj linje fantazmë, si popullsitë afrikane ashtu edhe ato joafrikane kanë trashëguar sasi të ngjashme të kësaj prejardhjeje. Çdo individ ka rreth 0,5 deri në 1% të gjenomit të tij të trashëguar nga kjo linjë fantazmë.”

Arjun Biddanda, studiues postdoktoral në Universitetin JohnsHopkins dhe një nga autorët kryesorë të studimit, tha për Phys.org:

“Zbulimi i linjës super-arkaike është veçanërisht emocionues, sepse tregon se njerëzit modernë kanë trashëguar materiale gjenetike nga një linjë njerëzore që ka jetuar më shumë se një milion vjet më parë, edhe pse nuk kemi ende ADN të sekuencuar nga ajo popullatë.”

Më parë mendohej se kjo “ADN fantazmë” ishte e pranishme vetëm te popullsitë moderne afrikane. Megjithatë, studimi i ri tregon se ajo gjendet në përmasa të ngjashme si te afrikanët, ashtu edhe te popullsitë jashtë Afrikës. Kjo sugjeron se pjesa më e madhe e kryqëzimeve mes grupeve të ndryshme njerëzore ndodhi përpara se homosapiensi të niste përhapjen përtej kontinentit afrikan.

Këto rezultate forcojnë gjithashtu teorinë se njeriu modern është produkt i përzierjes së gjeneve të disa grupeve tashmë të zhdukura të homininëve. Me fjalë të tjera, paraardhësit tanë nuk kanë evoluar të izoluar, por janë ndërthurur me popullata të tjera për mijëra vjet, duke krijuar përbërjen gjenetike që karakterizon njerëzit e sotëm. / Mirror – Syri.net

Related Articles

Back to top button
Close
Close