
Biznesmeni nga Manastiri dhe konsulli i nderit i Bjellorusisë, Borçe Markovski, ka lënë territorin e Maqedonisë pasi Gjykata Themelore në Strugë ia ka kthyer dokumentin e udhëtimit, përcjell INA.
Ai ishte ndalur më 29 korrik në vendkalimin kufitar “Tabanoc”, por pas kontrolleve zyrtare i është lejuar të vazhdojë rrugën drejt Serbisë. Shkaku ishte se në sistemet zyrtare nuk ka pasur masë aktive ndalimi për kalimin e kufirit shtetëror.
Pasaporta iu kthye pas një garancie mbi pesë milionë euro
Nga gjykata e Strugës kanë konfirmuar se pasaporta i është kthyer pasi Markovski ka ofruar garanci pronësore me vlerë mbi pesë milionë euro. Kryetari i gjykatës, Vullnet Vinca, ka deklaruar se sipas interpretimit të tyre nuk mund të vlejë njëkohësisht edhe garancia në pasuri, edhe masa e konfiskimit të pasaportës, përcjell portali 24chasa.mk.
Jozyrtarisht, Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka kundërshtuar kthimin, ndërsa opinion pozitiv ka dhënë Prokuroria e Lartë Publike e Manastirit.
Markovski dhe shtatë persona të tjerë po ballafaqohen me akuza për keqpërdorime në një prokurim publik për dislokimin e stacioneve të prodhimit nga TEC “Oslomej” në REK “Manastiri”. Sipas aktakuzës, kontrata kapte vlerën e rreth 1,7 milionë eurove, ndërsa kompania e Markovskit dyshohet se ka arkëtuar fonde për punë që nuk janë kryer plotësisht. Gjykimi ishte transferuar nga Manastiri në Gjykatën Themelore të Strugës, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 2 shtator 2026.



