
Një protestues gjatë fjalimit tij në protestën para Kryeministrisë iu drejtuar kryeministrit Edi Rama me thirrje për dorëheqje. Protestuesi theksoi se një pjesë e atyre që e kanë votuar Ramën sot janë në shesh duke protestuar kundër qeverisjes së tij. Sipas tij, kryeministri nuk mund të qeverisë vetëm duke u mbështetur te numri i votave të marra në zgjedhje, por duhet t’i përgjigjet të gjithëve.
“Më bëhet zemra mal kur shoh nga mosha e tretë këtu, që ta marrë vesh zullumqari se mosha e tretë, që i ka dhënë votën, që thotë se “kam 800 mijë vota”, por ato vota dhe shumë nga ata që e kanë votuar, në këtë protestë kanë qenë të pranishëm dhe janë kundër zullumqarit. Kundër kryeministrit, sepse ai kryeministër i një vendi nuk është për t’u mburrur me 800 mijë vota, duke harruar popullin tjetër. Është zullumqar dhe nuk është një kryeministër që qeveris vendin dhe popullin. Ka 12 vite në bashki dhe 13 vite në qeveri dhe ujin e kemi me pikatore, akoma nëpër tarracat tona. Pimë ujë me kazanë, pimë ujë të djegur nga vapa.
Prandaj i bëj thirrje, i kërkoj dorëheqjen. I kërkoj dorëheqjen, sepse ai thotë që ka 800 mijë vota. Shqipëria nuk është 800 mijë banorë, o zullumqar. Ti duhet t’i përgjigjesh të gjithë popullit, edhe atij që të ka votuar, edhe atij që nuk të ka votuar. Sepse taksat i paguajmë të gjithë. Ti di vetëm të gënjesh, të çoroditësh, sepse ti je një kryeministër që premton dhe asgjë nuk bën. Sepse edhe administrata jote nuk të ka dëgjuar, jo më populli. Tani, gojët e liga dhe patronazhistët e këtij zullumqari thonë që janë pak në protestë. Jo! Protesta është e madhe, do të vazhdojë dhe në shtator të vjen uragani. Nëse ke pak nder dhe kulturë, jep dorëheqjen pa të zënë shtatori, se do ikësh me turp dhe nuk do kesh vrimë të futesh, as në vrimë të milingonave. Jep dorëheqjen,” u shpreh protestuesi



