
Almir Dauti nga sot është emëruar ushtrues detyre (u.d.) drejtor i Ndërmarrjes Publike „Komunalec“ – Gostivar. Këtë informacion e kanë konfirmuar nga Komuna e Gostivarit, ndërsa Dauti, në komunikim me Telmën, kërkou pak kohë për t’iu përgjigjur disa prej pyetjeve të hapura lidhur me realizimin e projektit „Furnizimi me ujë i Gostivarit II – SECO II“, transmeton Portalb.mk.
“Për momentin e keni komunikatën e Ndërmarrjes Publike. Sot e kam ditën e parë si u.d. drejtor, kemi shumë obligime, prandaj nëse është e mundur të komunikojmë pas disa ditësh”, ka shkruar Dauti në një mesazh.
Dauti vjen në postin e drejtorit pasi u suspendua drejtoresha Artana Asani, e cila u dyshua dhe u caktua në paraburgim bashkë me Leon Nuredinin dhe Vadedin Dervishin. Sipas dyshimeve, ata, si drejtues të Ndërmarrjes Publike „Komunalec“, kishin dhënë urdhër që të aktivizohen tre pompa për të rritur presionin në sistemin e ujësjellësit. Si pasojë, në sistem depërtoi ujë i ndotur, gjë që çoi në shpërthimin e epidemisë në Gostivar, nga e cila u infektuan më shumë se 4 mijë persona.
Ndryshe, Dauti që nga viti 2020 ushtron edhe funksionin e sekretarit të FC Gostivar, pasi Komuna e Gostivarit mori drejtimin e klubit.
Ndryshe, në Gostivar u shpall epidemi të problemeve gastrointestinale, pas paraqitjes së numrit të lartë të i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim.
Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.
Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.
Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.



