
Forcat Ajrore të Turqisë do të kontribuojnë sërish në misionet për sigurinë e hapësirës ajrore mbi Baltik, duke dislokuar pesë avionë luftarakë F-16 dhe një kontingjent prej 76 personash në Estoni, raportoi gazeta turke Hürriyet Daily News.
Kontingjenti turk, pjesë e Skuadriljes së 181-të të Forcave Ajrore me seli në Dijarbakir, e njohur si skuadrilja “Pantera”, do të vendoset në bazën ajrore Ämari në Estoni.
Forcat turke do të kryejnë misione nën komandën e NATO-s nga gushti deri në nëntor, duke garantuar gatishmëri 24-orëshe për reagim të shpejtë ndaj çdo shkeljeje të mundshme të hapësirës ajrore në rajonin e Baltikut.
Misioni i patrullimit ajror të NATO-s mbi Baltik është një operacion i përhershëm në kohë paqeje, i cili siguron mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendeve aleate përmes pranisë së vazhdueshme të avionëve luftarakë dhe ekuipazheve në gatishmëri 24-orëshe. Ky mision funksionon që nga viti 2004, kur Estonia, Letonia dhe Lituania iu bashkuan NATO-s.
Misioni u zgjerua në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Aktualisht, në të marrin pjesë më shumë se dhjetë avionë luftarakë nga tre vende anëtare të NATO-s, të cilët operojnë me rotacion nga dy baza ajrore në shtetet baltike.



