
Biznesmenë serbë që merren edhe me media, të afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po hyjnë në hapësirën mediatike të Maqedonisë së Veriut. Grupi Alo Media System DOO Beograd po blen Nasha TV dhe Radio RFM, të cilat janë në pronësi të Risto Gogovskit, përmes personit juridik të themeluar në Shkup, Alo Media System DOOEL Shkup. Kjo kompani është krijuar me qëllimin e vetëm për të realizuar transaksionet e blerjes së dy mediave maqedonase.
Këtë javë, Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) pritet të vendosë për miratimin e ndryshimit të strukturës pronësore të Nasha TV, e cila transmeton në nivel kombëtar, si dhe të Radio RFM, programi i së cilës transmetohet në Shkup dhe rajonin e Shkupit.
Sipas informacioneve të revistës Fokus, tashmë është në rrjedhë afati për vendimmarrjen e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili duhet të vlerësojë nëse kjo shitblerje krijon një pozitë të mundshme monopole. Pas kësaj, nuk do të ketë pengesa që kontrata e shitblerjes të realizohet brenda afatit prej tre muajsh.
“Fokus” kontaktoi pronarin e dy mediave, Risto Gogovski, i cili konfirmoi se është nënshkruar një letër qëllimi, por nuk deshi të zbulojë ende detaje nga marrëveshja e shitblerjes për Nasha TV dhe Radio RFM.
“Kemi nënshkruar një letër qëllimi, e cila duhet të shndërrohet në kontratë, për të cilën ende po zhvillojmë negociata. Po pres vendimet e dy institucioneve kompetente, ASHMAA-së dhe Komisionit Antimonopol, pas së cilave procesi mund të vazhdojë. Për këtë kemi afat 90 ditë. Për momentin nuk mund të zbuloj më shumë detaje, pasi kemi rënë dakord edhe për një klauzolë konfidencialiteti mes dy palëve”, deklaroi Gogovski për “Fokus”. Në këtë mënyrë ai nuk iu përgjigj pyetjes se sa është vlera e shitjes së mediave të tij.
Por, kush është Grupi Alo? Për hyrjen e Grupit Alo në Maqedoninë e Veriut kanë shkruar edhe mediat serbe. Sipas asaj që ka publikuar N1, kjo paraqet zgjerimin e parë më të madh rajonal të këtij grupi mediatik serb jashtë kufijve të Serbisë. Aktualisht ai zotëron edhe dy portale online në Mal të Zi.
Në Serbi, grupi njihet për botimin e gazetës ditore Alo, si dhe portalit alo.rs. Pronari kryesor i tij është biznesmeni Sasha Blagojeviq, i cili më vonë e zgjeroi portofolin e tij mediatik duke blerë Studio B të Beogradit, si dhe 10 për qind të aksioneve të Informerit, media që konsiderohen mbështetëse të forta të politikave të pushtetit të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq dhe Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Sipas informacioneve, Blagojeviqi konsiderohet një biznesmen me ndikim të madh në hapësirën mediatike serbe, i cili po e zgjeron me shpejtësi pronësinë e tij përmes disa kompanive. Përveç Alo dhe Alo.rs, ai ka themeluar portalin ekonomik BizPortal në Serbi dhe Pogled në Mal të Zi.
Blerjet e tij më të fundit mediatike në nivel rajonal dhe lokal në Serbi përfshijnë TV Priboj, TV Lav Plus dhe Nish TV. Ai ka qenë gjithashtu i suksesshëm në sektorin e marketingut, ku është paraqitur si bashkëpronar i agjencisë Trilenium, si dhe themelues i agjencisë së tij Alo Marketing. (fokus.mk)



