Milazim Thaçi, kushëri i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka rrëfyer për “Debat Plus” një bisedë që kishte pasur me nënën e Thaçit, para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka thënë se dy ditë para aktgjykimit kishte vizituar nënën e Hashim Thaçit dhe, me shpresën se djali i saj do të lirohej, i kishte thënë se Hashimi do të kthehej së shpejti.
“Pardje kam qenë te nëna e Thaçit. Bile unë e rrejta, i thashë: ‘Masnesër ka me ardh me të kap për qafe Hashimi’, e nuk më doli ashtu, e rrejta”, ka deklaruar Milazim Thaçi.
Ai ka thënë se nëna e Hashim Thaçit është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe se pas aktgjykimit nuk kishte pasur forcë ta vizitonte.
“Ajo është sëmurë shumë e sot nuk kam qenë hiç, se jam mërzit vetë unë e krejt familja, krejt mahalla, krejt Kosova”, ka thënë ai.
Milazim Thaçi ka treguar edhe fjalët që, sipas tij, nëna e Hashim Thaçit i kishte thënë gjatë vizitës.
“Ajo tha: ‘Të lumtë goja, ishalla na vjen sa më shpejt, jo vetëm djali i saj, po krejt ata që janë aty’”, ka rrëfyer ai për Dukagjinin.
Kushëriri i Thaçit e ka cilësuar aktgjykimin si një padrejtësi të madhe, duke përmendur edhe përvojën e tij në Hagë në vitin 2002, gjatë procesit ndaj Slobodan Millosheviq.
“Padrejtësi e madhe, pasha Zotin. Unë kam qenë në 2002 në Hagë kundër Slobodan Millosheviqit. Atëherë kanë qenë vetëm 60 dëshmitarë, a tash për çlirimtarët tanë janë bërë 260 a 300, sa po thonë. Vallahi marri është”, ka deklaruar ai.
Milazim Thaçi ka shprehur shqetësimin e tij edhe për faktin se ka pasur shqiptarë që kanë dëshmuar kundër shqiptarëve.
“Pse ka shqiptarë kundër shqiptarëve, unë nuk di çfarë të them. Na nuk kishim miq e as nuk po ua dishim vlerën lirisë. Sot unë i lirë, me tana të mirat…”, ka deklaruar ai.


