Kryediplomati italian bën thirrje për veprim evropian kundër kolonëve izraelitë

Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani, ka bërë thirrje për masa në nivel evropian për të frenuar dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.

Siç raporton e përditshmja Il Sole 24 Ore, Tajani theksoi nevojën për masa në nivel evropian “për të synuar në mënyrë të fokusuar dhe efektive aktivitetet dhe burimet e financimit të kolonëve të dhunshëm”.

“Masat kombëtare mbështeten në baza të dobëta ligjore, me rrezikun që të kenë ndikim të kufizuar dhe të anashkalohen lehtësisht. Kjo është gjithashtu arsyeja pse vetëm shtatë vende të BE-së kanë njoftuar masa të tilla si ato të shpallura nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja”, tha ai në Dhomën e Deputetëve.

Ai rikujtoi se zgjerimi i vendbanimeve të paligjshme është i “papranueshëm”, duke theksuar se askush nuk mund ta tolerojë dhunën e kolonëve.

“Askush nuk mund të justifikojë veprime që minojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete. Çështja është se cilat mjete duhet të përdoren për të pasur ndikim real mbi këtë sjellje. Ne jemi të bindur se, për çështje të këtij lloji, i vetmi kuadër efektiv ligjor dhe politik është ai i BE-së”, theksoi Tajani.

Ai paralajmëroi se vetëm një përgjigje e unifikuar evropiane mund të garantojë masa efektive dhe të qëndrueshme.

Tajani theksoi se Italia tashmë ka mbështetur tre raunde sanksionesh që synojnë kolonët izraelitë dhe organizatat që mbështesin aktivitetet e tyre, duke shtuar se Italia është gjithashtu ndër vendet që mbështesin një paketë të katërt, e cila aktualisht është në diskutim.

Ai shtoi se Italia do të vazhdojë angazhimin me partnerët e tjerë të BE-së për të identifikuar masa të mëtejshme në takimet e ardhshme, përfshirë lidhur me vendbanimet e paligjshme dhe aktivitetet ekonomike që lidhen me to.

“Synimi ynë është t’i japim fund dhunës së kolonëve, të ndalojmë zgjerimin e vendbanimeve dhe të ruajmë të vetmen perspektivë politike për një paqe të qëndrueshme: dy shtete që mund të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, tha Tajani.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha gjithashtu se blloku po diskuton sanksione shtesë kundër kolonëve izraelitë, mes zgjerimit në rritje të vendbanimeve të paligjshme, zhvendosjes së detyruar dhe niveleve rekord të dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Që nga viti 1967, Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor. Komuniteti ndërkombëtar i konsideron të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare vendbanimet izraelite të ndërtuara në tokën e pushtuar, qëndrim të cilin Tel Avivi e kundërshton.

Rreth 750.000 kolonë izraelitë jetojnë në 156 vendbanime të paligjshme dhe 360 pika kolonizuese në mbarë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, duke kryer sulme që synojnë zhvendosjen me forcë të palestinezëve.