LajmeOpinion

MALI NUK PERKULET: KUR FORCA E TË DREJTËS NDALON PUSHTETIN

Në histori nuk mbeten kurrë servilët që u ulen në gjunjë pushtetarëve! Nuk mbeten ata që u shkojnë mbrapa me nënshtrim e që i presin me petulla e mjaltë prapë ata që vetëm një vit më parë u çuan fadromat, u shkatërruan mundin e u prishën shtëpitë e fëmijëve! Në histori mbeten vetëm ata që i dalin zot vatrës e që qëndrojnë në ballë të sheshit me faqe të bardhë e me dinjitet!
Më erdhi keq e më u pre zemra kur e pashë nga Italia se si u lejua, u nderua e u mikprit përsëri ai që i preu në besë malësorët. Por dinjiteti ynë, trojet e të parëve e gjakut tonë as nuk blihen me para e as nuk shkelen me forca policie!
Sot po e nxjerr këtë video publike për t’ju kujtuar të gjithëve se sakrifica e vendosmëria kanë gjithmonë sukses:
Në mars të vitit 2016, në mes të Shkodrës, i rrethuar nga qindra forca policore e civile, dola i vetëm e e ndalova kryeministrin në mes të rrugës! Nuk kisha as armë, as banda e as poste pas vetes — kisha vetëm forcën e Zotit, të drejtën e Shkodrës, të Nënshkodrës e të rrethinave të përmbytura, si dhe gjakun e pastër të traditës sime!
Ai pushtet me gjithë atë forcë u detyrua të ndalojë e të dëgjojë zërin e qytetarit! Më arrestuan e më mbajtën 3 ditë në qeli, por mesazhi u dha i prerë: Një burrë i vetëm, kur është me të drejtën e Zotit, nuk i përulet kurrë askujt!
Mësimi Historik i Qëndresës Suaj:
Kjo që po shohim sot ka rrënjë të thella. Që nga kohët e pushtimit turk, nga italianët, gjermanët e deri te regjimi komunist, kanë qenë të njëjtit njerëz me atë gen servil që u bënë me çdo pushtues e mbajtën popullin nën diktat. Janë po ai gjak njerëzish që dje vranë vëllezërit e tyre shqiptarë vetëm sepse ua kërkonte partia apo patroni. Shihni Rrjollin se si u thye e u shkatërrua para një viti — e prapë mbeturina të tilla presin me sy ulur se çfarë do t’u hedhë patroni nga karrigia e vet!
Kjo Është Rruga Jonë e Vetme:
Mbrojtja e pronës është dinjitet: Nga Thethi në Rrjoll, nga Kukësi e në çdo cep të Shqipërisë, trojet e të parëve dhe mundi i fëmijëve tanë nuk janë mall pazari për oligarkët!
Besa nuk shitet e as nuk tjetërsohet: Largoni servilizmin e përçarjet! Kur t’i prekin vatrën, mundin e fëmijën, reagimi i stuhishëm është e vetmja rrugë nderi.
O sot në këmbë për të drejtën, o nesër pa atdhe!
Paulin Maçaj
(Djalë i shtëpisë së vojvodës së Malësisë, Aktivist Qytetar)

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close