Afrim Gashi uron Kurtin për mandatin e ri: “Për Kosovën një faqe e re, për miqësinë tonë një vazhdim”

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mandatin e ri dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Gashi ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe rrugëtimit të përbashkët drejt integrimit evropian.

“Për Kosovën një faqe e re, për miqësinë tonë një vazhdim.

Në ditën e parë të punës së Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, telefonova mikun tim, Kryeministrin Albin Kurti, për t’i përcjellë urimet e mia të përzemërta për mandatin e ri dhe për t’i uruar suksese Qeverisë Kurti 4.

Uroj që ky mandat të sjellë rezultate të mira për qytetarët e Kosovës, forcim të institucioneve dhe vlerave demokratike, si dhe hapa të rinj drejt zhvillimit dhe integrimit europian.

Riafirmuam se do të vazhdojmë bashkëpunimin mes dy vendeve tona, në frymën e lidhjeve vëllazërore, fqinjësisë së mirë dhe interesit të përbashkët. Miqësia dhe bashkëpunimi ynë institucional janë garanci se e ardhmja do të na gjejë më të fortë dhe bashkë në rrugën europiane”, ka shkruar Gashi.