
UJËSJELLËSI NË GOSTIVAR? Dyshohet se në ujin e pijshëm u gjetën baktere fekale, në një mostër edhe nivel i lartë i klorit
Raporti, sipas informacioneve jozyrtare, i është dorëzuar Prokurorisë. Institucionet ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht rezultatet.
Dyshime serioze për cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar. Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga media maqedonase Kurir, raporti i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) tregon se në dy nga katër mostrat e analizuara të ujit janë konstatuar baktere koliforme fekale, ndërsa në njërën prej tyre është evidentuar edhe nivel i rritur i klorit.
Nëse këto të dhëna konfirmohen zyrtarisht nga institucionet kompetente, ato mund të ngrenë pikëpyetje serioze lidhur me funksionimin dhe menaxhimin e rrjetit të ujësjellësit në qytet.
Sipas të njëjtave burime, një nga pistat që po hetohet është mundësia e depërtimit të ndotjes fekale në rrjetin e ujësjellësit, pas së cilës dyshohet se është kryer klorim shtesë i ujit për dezinfektim.
Po ashtu, sipas informacioneve jozyrtare, raporti i ISHP-së tashmë i është dorëzuar Prokurorisë Themelore Publike, e cila pritet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm në kuadër të hetimeve.
Deri në këtë moment, asnjë institucion nuk i ka konfirmuar zyrtarisht këto pretendime. Prandaj, informacionet duhet të konsiderohen jozyrtare deri në publikimin e rezultateve dhe qëndrimeve zyrtare nga autoritetet kompetente.TvGlobi



