
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, nga foltorja e Kuvendit kërkoi përgjigje të qartë nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me paralajmërimet për rrezik para protestës së mbajtur në Tetovë.
“Pyetja ishte e drejtpërdrejtë. A kishte informacione reale dhe operative për rrezik, apo qytetarët u frikësuan pa asnjë bazë?
Edhe pse në seancë ishte i pranishëm zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe kishte të drejtë të përgjigjej në emër të ministrit, ai zgjodhi të heshtë. Deputeti Snopçe u njoftua se përgjigjja do t’i dërgohet me shkrim.
Kjo heshtje nuk i largon dilemat. Përkundrazi, i thellon ato.
Protesta në Tetovë përfundoi e qetë dhe pa asnjë incident. Ndërkohë, paralajmërimet dramatike të bëra para saj nga Ministri i Ekonomisë vazhdojnë të mbeten pa asnjë mbështetje me fakte apo informacione zyrtare nga institucioni përgjegjës për sigurinë.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse këto deklarata ishin të bazuara në vlerësime konkrete të organeve të sigurisë, apo ishin deklarata politike që synonin të krijonin frikë dhe të ndikonin në pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë.
E drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë dhe askush nuk ka të drejtë ta kufizojë atë përmes frikësimit, manipulimit apo deklaratave të pambështetura”, thonë nga ASH.
Nga atje shtojnë se MPB duhet të japë përgjigje të plotë dhe transparente. Nëse ka pasur informacione për rrezik, ato duhet të bëhen të ditura. Nëse nuk ka pasur, atëherë duhet të sqarohet se mbi çfarë baze u alarmua opinioni publik.



