
Kandidatja për presidente të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, është parë mesditën e sotme duke hyrë në selinë qendrore të partisë.
Gazetari i RTV21, Burim Zariqi, raporton nga selia e LDK-së, ku bëri të ditur se Osmani do të zhvillojë një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Në hyrje të selisë, Osmani nuk është deklaruar për mediat, duke thënë shkurt se do të flasë pas përfundimit të takimit.
Takimi zhvillohet në një kohë kur LDK-ja po përballet me tensione të brendshme. Sipas raportimeve në media, delegatët e pakënaqur me udhëheqjen aktuale pritet që gjatë ditës t’i dorëzojnë nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, ku do të kërkohet shkarkimi i Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit.
Nisma vjen pas pakënaqësive të shprehura pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat kanë nxitur përplasje të hapura brenda partisë.
Kërkesat publike për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut janë shoqëruar me replika mes figurave drejtuese të LDK-së. Degët e partisë në Pejë, Lipjan, Rahovec dhe Dega e Dytë në Prishtinë kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e kryetarit, duke vlerësuar se rezultati zgjedhor kërkon përgjegjësi politike dhe reflektim në nivel qendror.
Përfaqësuesit e këtyre degëve kanë theksuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor duhet të bartet nga udhëheqja e partisë./RTV21/21Media



