
Fatmir Limani ia ka dorëzuar Gjoko Velkovskit pozitën e ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, përcjell TV21. Në mesazhin e tij pas dorëzimit të detyrës, Limani tha se funksionet publike janë të përkohshme, ndërsa shërbimi ndaj qytetarëve dhe shtetit mbetet një përgjegjësi e përhershme.
“Detyrën e dorëzoj me qetësi, me ndërgjegje të pastër dhe me ndjenjë krenarie për gjithçka që kemi arritur së bashku. Institucionet janë më të rëndësishme se çdo funksion individual”, deklaroi Limani.
Ai theksoi se gjatë mandatit të tij janë realizuar reforma dhe projekte në fushën e mbrojtjes sociale, të drejtave të fëmijëve, sistemit pensional dhe zgjerimit të kapaciteteve të kopshteve. Limani i uroi sukses ministrit të ri, duke shprehur besimin se proceset e nisura do të vazhdojnë.



