LajmeMaqedoniTopLajm

BDI: Emërim skandaloz dhe i paligjshëm në RTVM

 Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vazhdimin e kapjes politike të Radio Televizionit të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni VMRO-VLEN, proces që po shkatërron karakterin publik, profesional dhe multietnik të këtij institucioni.
Skandali kulmoi dje me emërimin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, një person që nuk i plotëson kushtet ligjore dhe kriteret e përcaktuara në konkurs. Ritheksojmë se bëhet fjalë për një emërim të kundërligjshëm, i cili duhet të hetohet urgjentisht nga institucionet kompetente.
Për një vend pune bashkëpunëtor, këshilltar e të tjerë në administratën publike, nevojitet shkollim i lartë dhe përvojë pune pas kryerjes së shkollimit përkatës. Ndërkaq për të kënaq orekset e partnerëve brenda VLEN-it, Këshilli politik Programor i RTVM-së në krye të servisit publik emëron një person që nuk ka kualifikime të duhura as për pozitën bashkëpunëtor në administratën publike. Ndoshta ky është përfaqësimi i drejtë dhe meritokracia që trumbeton VLEN-i.
Është alarmante dhe njëkohësisht fyese për profesionin që në krye të një institucioni mediatik publik emërohet një person pa asnjë ditë përvojë pune në gazetari! Ky është degradim i standardeve profesionale, nënçmim i qindra gazetarëve dhe punonjësve me përvojë shumëvjeçare në RTVM dhe dëshmi se kriteri i vetëm për emërim është lojaliteti politik ndaj VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.
Që nga dita e parë e ardhjes në pushtet, VLEN ka dëshmuar se nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve, por interesat e VMRO-së. Tashmë punonjësit shqiptarë në RTVM janë lënë pa asnjë mbështetje institucionale, ndërsa individët e emëruar në kundërshtim me ligjin janë shndërruar në zbatues të verbër të politikave partiake, duke e kthyer servisin publik në instrument të propagandës qeveritare.
I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që menjëherë të hapin procedurë hetimore për këtë rast dhe të verifikojnë përgjegjësinë penale dhe administrative të të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në këtë proces të paligjshëm.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë, OSBE-së, Delegacionit të Këshillit të Evropës, si dhe të gjitha organizatave vendore dhe ndërkombëtare që merren me lirinë e medias dhe sundimin e ligjit, të reagojnë pa vonesë ndaj këtij procesi të rrezikshëm të politizimit dhe uzurpimit të RTVM-së.
Kapja e servisit publik, shkelja e ligjit, eliminimi i shqiptarëve nga pozitat drejtuese dhe degradimi i standardeve profesionale nuk janë vetëm problem i një institucioni. Ato janë sulm ndaj demokracisë, pluralizmit dhe karakterit multietnik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
BDI nuk do të heshtë përballë këtij degradimi dhe do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për ta mbrojtur ligjshmërinë, profesionalizmin dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Radio Televizionin e Maqedonisë së Veriut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close