LajmeSport

Alejandro Garnacho në shitje, Chelsea refuzon ofertën e parë nga gjiganti italian

Alejandro Garnacho është kthyer në objektivin kryesor të Romës për repartin ofensiv.

Sulmuesi argjentinas, i lindur në vitin 2004, pritet të largohet nga Chelsea gjatë kësaj merkatoje, ndërsa klubi italian ka bërë tashmë lëvizjen e parë.

Sipas raportimeve të Il Messaggero, Roma ka paraqitur një ofertë që parashikon 5 milionë euro për huazimin e lojtarit, plus 35 milionë euro për blerjen e tij, e cila do të bëhej e detyrueshme në përfundim të marrëveshjes. Në total, oferta kap vlerën e 40 milionë eurove.

Megjithatë, Chelsea e ka refuzuar menjëherë këtë propozim. Klubi londinez kërkon ta shesë Garnachon përfundimisht dhe synon të arkëtojë të paktën 50 milionë euro nga kartoni i tij.

Edhe trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, konfirmoi se lojtari është pranë largimit.

“Ka interes nga klube të tjera për të. Shpresoj që gjithçka të përfundojë në mënyrën më të mirë për të gjitha palët. Kemi folur me drejtuesit dhe ka disa skuadra që e kërkojnë”, u shpreh tekniku spanjoll.

Ndërkohë, Roma po mban të hapura edhe alternativa të tjera. Një prej tyre është Crysencio Summerville, por West Ham nuk ka ndërmend të negociojë për më pak se klauzola prej 58 milionë paundësh.

Në listën e verdhekuqve figuron edhe Nicolò Tresoldi, një profil që pëlqehet nga trajneri Gian Piero Gasperini, megjithëse karakteristikat e tij taktike nuk përputhen plotësisht me skemën aktuale të ekipit.

Një tjetër emër është Diego Moreira. Sulmuesi i Strasburgut, i cili është në pronësi të grupit të Chelsea, vlerësohet rreth 40 milionë euro dhe thuhet se do ta mirëpriste një transferim te Roma, pasi ka refuzuar oferta nga klube jashtë Evropës.

Sipas mediave italiane, drejtuesit e Romës besojnë se përforcimi i ri për krahun e sulmit ka shumë gjasa të vijë pikërisht nga Chelsea, me Garnachon që mbetet objektivi numër një.

Related Articles

Back to top button
Close
Close